Meta e dekretoi pa vetting, fati i Besnik Muçit në dorën e KPA. Sot vendimi

AKTUALITET


Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të vendosë të enjten (sot) përfundimisht nëse Besnik Muçi e kalon apo jo vettingun. Anëtari i dekretuar nga presidenti dhe i betuar për postin e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese ende ndodhet në pikëpyetje në lidhje me procesin e vettingut dhe postin që ai mban në institucionin më të lartë të drejtësisë që së fundi është kthyer në një arenë debati mes liderëve politikë në vend.

Besnik Muçi e kaloi fazën e parë të vettingut, por Komisioneri Publik e ankimoi vendimin dhe kërkoi apelimin e tij. Çështja i kaloi për shqyrtim Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Në mbledhjen e datës 12 nëntor, komisioneri publik i ka qëndruar kërkesës së tij për shkarkimin e Muçit me argumentin se ka deklarime të pasakta të pasurisë dhe burime të pamjaftueshme për të justifikuar pasurinë.

Besnik Muçi paraqiti kundërshtimet e tij mbi secilin prej shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Pasi dëgjoi konkluzionet përfundimtare të palëve, trupi gjykues u tërhoq për të marrë vendimin përfundimtar për çështjen, të cilin do ta shpallë pikërisht sot në orën 11.00. Vendimi i sotëm do të përcaktojë nëse Besnik Muçi do të qëndrojë në detyrën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese ose do të shkarkohet dhe sërish do të kemi një vakancë në këtë gjykatë.



Skip to toolbar