A kërkoi ONM shkarkimin e Muçit? Balla i tregon Gjekmarkajt vendimin

#NËRADAR


Përzgjedhja e kandidaturës së Besnik Muçit nga Ilir Meta për anëtar të Gjykatës Kushtetuese nxiti debate në studion e “Real Story”. Ishte analisti Eduard Zaloshnja, që u shpreh gjatë emisionit se Meta u vu në lëvizje për Gjykatën Kushtetuese në çastin që Teo Jacobs, përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të Vettingut, rekomandoi që Muçi të rikthehej në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Analisti Agron Gjekmarkaj deklaroi se ONM nuk kishte rekomanduar shkarkimin e Besnik Muçit.

Por, drejtuesi i emisionit “Real Story”, Sokol Balla bindi analistin Agron Gjekmarkaj, duke i lexuar një pjesë nga vendimi i Komisionerit Publik, që me rekomandim të ONM riktheu Besnik Muçin në procesin e rivlerësimit, pra në KPA, dhe për rrjedhojë kërkon shkarkimin e tij.


“Prokurori pranë Krimeve të Rënda, sipas rekomandimit të ONM-s, do të përballet me KPA pasi sipas rekomandimeve të ONM huatë dhe kursimet e prokurorit Besnik Muçit nuk ishin të provuara dhe të ardhurat e tij duhet të konsiderohen të pajustifikuara. Po kështu toka bujqësore e përfituar nga bashkëshortja duhet të konsiderohet mosdeklarim. Ankimimi për Kolegjin e Posaçëm është fokusuar për mosverpimin nga KPK të ligjshmërisë për të ardhurat dhe huatë e deklaruara prej Besnik Muçi”, tha Sokol Balla live në “Real Story”.

Kujtojmë se ish-prokurori Besnik Muçi do të përballet të enjten me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku do të mësojë nëse do të vijojë detyrën apo do të shkarkohet sipas kërkesës së Komisionierit Publik me rekomandim të ONM. Aktualisht Besnik Muçi mban detyrën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, i zgjedhur nga Presidenti Ilir Meta. /Realstory.al/




Skip to toolbar