Referendum? Metës i duhen firmat e 50 mijë shqiptarëve dhe… Gjykata Kushtetuese

AKTUALITET


Presidenti Meta u ka bërë thirrje shqiptarëve që të “mbrojnë fatet” e vendit përmes një referendumi. Megjithëse e ka përmendur disa herë këtë thirrje, në asnjë rast presidenti Meta nuk ka qenë i qartë se për çfarë do ta thërrasë popullin në referendum, por ka nënkuptuar se kërkon ndryshime në Kushtetutë, nisur kjo nga deklarata në konferencën “e jashtëzakonshme” e së premtes ku vlerësoi Kushtetutën e parë të ’98, ndërsa i cilësoi të gabuara të gjitha ndryshimet që i janë bërë më pas asaj. Pra presidenti nënkuptoi se ka ardhur koha për një Kushtetutë të re dhe për këtë kërkon referendum popullor.

Kushtetuta e Shqipërisë ka 3 nene që i dedikohen pikërisht referendumit dhe për të realizuar një të tillë, Metës i duhen firmat e 50 mijë shqiptarëve me të drejtë vote.  

Në nenin 150 shkruhet se “Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë”.

Më pas nenin 151 shkruhet se nuk mund të zhvillohet referendum për çështjet që lidhen me tërësinë territoriale të Republikës së Shqipërisë, me kufizimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, me buxhetin, taksat e detyrimet financiare të shtetit, me vendosjen dhe heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme, me deklarimin e luftës dhe të paqes dhe me amnistinë. Pikërisht kërkesa për referendum shqyrtohet më parë nga Gjykata Kushtetuese e cila shqyrton paraprakisht kushtetutshmërinë e çështjeve të shtruara për referendum. Dhe më pas data e referendumit caktohet nga Presidenti i Republikës brenda 45 ditëve pas shpalljes së vendimit pozitiv të Gjykatës Kushtetuese ose pas kalimit të afatit brenda të cilit Gjykata Kushtetuese duhet të shprehej.

Pra duket se edhe kjo nismë e Metës nuk mund të gjejë mbështetje ligjore përsa kohë Gjykata Kushtetuese ndodhet në kushtet e mungesës së anëtarëve dhe nuk mund të shqyrtojë asnjë çështje dhe as të marrë vendime.

E gjithë kjo ide e re e presidentit duket si një tjetër përpjekje për të tërhequr vëmendjen, apo për të mbajtur gjallë frymën opozitare./realstory.al



Skip to toolbar