BE refuzon vettingun shqiptar për Maqedoninë e Veriut

AKTUALITET


Procesi i vettingut është cilësuar i suksesshëm nga BE pasi përjashtoi nga sistemi i drejtësisë prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar por nga ana tjetër krijoi probleme me vakancat duke krijuar mosfunksionim të institucioneve të drejtësisë. Pikërisht për këtë arsye BE e ka përjashtuar zhvillimin e vettingut në Maqedoninë e Veriut. Kjo për faktin se Maqedonia nuk ka kapacitete njerëzore për të përmbushur vendet bosh që do të lënë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar në institucionet e drejtësisë dhe modeli i ngjashëm me Shqipërinë mund të sjellë bllokime siç po ndodh edhe tek ne. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev thotë se ishte Brukseli ai që e frenoi nisjen e këtij procesi.

“Unë e pata premtuar në zgjedhje, jo vetting, por atë që e cilësoj njohje e së drejtës për t’u rizgjedhur e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ishte pjesë e programit. Por, kur mora detyrën, BE nuk dha mundësi të nisja procesin. Pse? Sepse ndoshta duhet të ndiqnin si po shkonte në Shqipëri, si do të mbyllej. Ata na thanë se nuk keni njerëz, nuk keni si të plotësoni vendet që do të mbeten bosh”, shprehet Zaev për A2neës.


Përsa i përket Shengenit Ballkanik, Zaev thotë se kjo nismë është në të mirë të qytetarëve të vendeve të Ballkanit, por edhe një formë presioni pozitiv ndaj BE-së.

“Të bësh presion është mirë. Shpresoj, presion pozitiv. Por, ata do të shohin më shumë luftë ndaj korrupsionit. Do të shohin se vlerësojmë taksat e paguara nga qytetarët në Francë apo Gjermani, si ne ndërtojmë rrugë, autostrada, sepse ata kanë shpenzuar shumë para në rajon. Ata do të shohin se ne vlerësojmë. Ne shpresojmë që të ketë impakt pozitiv tek Bashkimi Europian, por më së pari ne e bëjmë këtë për qytetarët tanë”, thotë Zaev ndërsa tregon sesi lindi ideja e kësaj nisme.

“Ideja e Shengenit Ballkanik lindi gjatë një takimi në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara. Ne u takuam aty, po pinim verë dhe nisëm të flisnim për këtë. Biseduam për procesin e Berlinit, për integrimin europian, Vuçiç na tha se do të zhgënjeheni, ndërsa ne besonim kaq shumë. Gjatë këtyre diskutimeve, folëm për krijimin e One Stop Shop me Maqedoninë dhe të përgatiteshim dhe me Shqipërinë. Dhe vlerësuam se nuk është mjaftueshëm. Disa e quajnë Mini Shengen, disa Mini Jugosllavi, disa të tjerë nuk e di se çfarë. Është përshpejtim i bashkëpunimit rajonal”, tregon Zaev.

Lidhur me çeljen e negociatave Zaev thotë se asnjëherë nuk e ka mbështetur idenë e ndarjes së Tiranës dhe Shkupit në rrugën drejt BE: “Ka patur shumë diskutime nga vendet anëtare. Kur më kanë pyetur, qëndrimi im ka qenë: mos e bëni këtë. Ne duhet të shkojmë bashkë. Pse të diskutojmë? Miqtë kujdesen për njëri-tjetrin”.

Ai e konsideron mik dhe Edi Ramën dhe thotë se nuk kishte arsye për të dhënë dorëheqjen pas vendimit negativ për negociatat. Madje Zaev thotë se Rama ka shance të fitojë një mandat tjetër qeveritar.

 “Ishte një situatë ndryshe. Edi ka më shumë shanse të fitojë në Shqipëri. Unë e di, e ndjek, sepse është fqinji im. Unë kam më pak shanse të fitoj në zgjedhje. Shqipëria ka reformat e saj, sukseset e saj. Është ndryshe”, thekson Zaev, i cili këmbëngul disa herë se është krenar që ka mbështetjen e shqiptarëve dhe shfaqet optimist se njësoj do të jetë edhe në zgjedhjet e ardhshme.




Skip to toolbar