Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka mbledhur Këshillin Bashkiak për të rakorduar në lidhje me operacionet e kërkim-shpëtimit në ndihmë të qytetarëve në Thumanë e Durrës si dhe vlerësimit të dëmeve në Tiranë, ku vlerësohen mbi 500 banesa të dëmtuara. Përveç ndihmës me mjete dhe forca në njerëz të dërguara në zonat e prekura në operacionet e shpëtimit në terren, Këshilli Bashkiak në mbledhjen e sotme miratoi një fond ndihme financiare prej 100 milionë lekësh për Bashkinë e Krujës dhe në mënyrë të posaçme për Thumanën. Kryetari i Bashkisë së Tiranës në fjalën e tij theksoi se Tirana ngriti sot flamurin e solidaritetit me të gjithë ata që në këto momente janë në vështirësi nga tërmeti i fuqishëm i mëngjesit të sotëm. “Sot në fakt kishim planifikuar një ditë tjetër, të festonim ngritjen e flamurit në Tiranë, është 107 vjetori kur Tirana ngriti flamurin. Mesa duket fati, historia na thirri të ngrinim një tjetër flamur sot. Patjetër atë shqiptar, por atë shqiptar me solidaritet, me përkrahje, mirësi, dashuri, në një situatë paniku e fatkeqësie. Do të doja që t’ju bëja një thirrje ta mbajmë të gjithë lart këtë lloj flamuri shqiptar, të solidaritetit. Ndaj sot akordojmë menjëherë një ndihmë prej 100 milionë lekësh për Bashkinë e Krujës, aty ku ndodhet Thumana. Është zona më e prekur, ndërkohë që me Valbonën, kryetaren e bashkisë së Durrësit do duhet të komunikoj në ditët në vijim, që të shohë edhe ajo pasi të kalojë emergjenca, se çfarë janë nevojat, edhe të bëjmë prapë një ndihmë të dytë për Durrësin. Por për Thumanën, duke qenë se është një vend i vogël dhe emergjenca e madhe, dhe një bashki me pak të ardhura, dua që ta ofrojmë këtë solidaritet, teksa me rimëkëmbjen e vet, siç i ka hije çdo shqiptari, do të duhet të mendojë edhe për fqinjët, edhe për fqinjët tanë të Thumanës dua që të akordojmë këtë ndihmë të emergjencës”, – tha Veliaj.
Ai theksoi se skuadra e emergjencës dërguar në Durrës kontribuojë në mënyrë direkte në shpëtimin e jetëve që gjendeshin nën rrënoja. “Besoj që të gjithë biem dakord që nuk kemi ç’i bëjmë tërmetit, fatkeqësive të tilla, por kemi ç’i bëjmë mënyrës se si reagojmë.” Veliaj tha se Tirana në respekt të viktimave dhe kësaj fatkeqësie natyrore ka anuluar të gjitha festimeve të organizuara me rastin e festës së Flamurit dhe atë të Çlirimit. “Do të anulojmë dhe të gjitha veprimtaritë festive të Natës së Bardhë. Nuk është ky momenti, do kemi një kohë tjetër për të festuar. Por teksa Shqipëria është në zi prej kësaj fatkeqësie, ne do të bëjmë minimumin e respektit ndaj simboleve kombëtare dhe flamurit, po për festat do të duhet të ketë një moment tjetër. E thonë librat e shenjtë, ka një moment për të qarë, dhe një moment për të qeshur. Një moment për t’u veshur me të zeza, një moment për të bardhat. Ky nuk është ai momenti për festim, kështu që do kërkojmë nga Bashkia anulimin e çdo aktiviteti tjetër, përveç minimumit të protokollit për ditën e Flamurit edhe për ditën e Çlirimit”, bëri të ditur Veliaj.