Kompania që menaxhon “Rrugën e Kombit” njofton se ka vendosur të pezullojë tarifën e kalimit për të gjitha makinat; individët, shoqatat, institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë duke nisur që nga dita e martë. Ky vendim është marrë për t’u solidarizuar me situatën e vështirë të krijuar nga tërmeti. Ndërkohë kompania njofton se ky vendim do të qëndrojë në fuqi deri në përfundim të situatës së emergjencës.
Ndihma të shumta kanë ardhur nga Kosova për qytetarët shqiptarë të prekur nga tërmeti i djeshëm kryesisht në Durrës e Fushë-Krujë por edhe në Tiranë.
Përveç forcave të Ushtrisë së Kosovës, ndihma të ndryshme janë dhënë nga të gjitha qytetet e Kosovës që kanë organizuar fushata solidarizimi me të prekurit. Pikërisht për këtë arsye, Albanian Highway Concession ka vendosur të lejojë kalimin pa pagesë të të gjithë atyre të cilët janë solidarizuar apo që kanë sjellë ndihma për t’iu ardhur në ndihmë dhe mbështetje të prekurve nga tërmeti.