Deputetët e Partisë Socialiste si dhe kryebashkiakët e kësaj partie kanë vendosur që rrogën e muajit nëntor ta dhurojnë për t’i ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti në Thumanë dhe në Durrës.
“Grupi Socialist në Kuvend dhe 60 kryetarët e bashkive dhurojnë të gjithë pagën e muajit Nëntor në llogarinë e përcaktuar nga Qeveria për fondin e rindërtimit”, u shpreh kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Pak më herët përmes një mesazhi në twitter kryeministri Rama u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të mos dërgojnë më ndihma në rroba dhe ushqime por kërkoi ndihma në para përmes portalit qeveritar e-albania.
Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes ka bërë apel për këdo që dëshiron t’i bashkohet fushatës së dhurimit për të ndihmuar të prekurit.
Qytetarët, kompanitë, bizneset që duan të kontribuojnë për të ndihmuar familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit, ju lutem të kontaktojnë numrat e mëposhtëm
04 22 22 223
04 22 28 250
0688046664
“Këta numra janë në dispozicion 24 orë për këdo që kërkon informacion mbi pikën e grumbullimit të ndihmave në rezervat e shtetit dhe në komandën mbështetëse të Forcave të Armatosura me qendër në Vaqar, por edhe pika të tjera që po ngrihen në Tiranë, Durrës e qytete të tjera”, deklaroi Ministria e Mbrojtjes.