“Kontribute vullnetare urgjente”, arbëreshët solidarizohen me shqiptarët

AKTUALITET


Arbëreshët në Sicili janë bërë pjesë e solidaritetit me popullin shqiptar, pas tragjedisë së ndodhur nga tërmeti me magnitudë 6.4 mëngjesin e 26 nëntorit, ku la pas viktima të shumta dhe dëme të mëdha materiale. Kryetari i Bashkisë “Piana degli Albanesi”, Rosario Petta bëri thirrje për solidaritet dhe ndihma financiare në mënyrë që të ndihmohen të prekurit nga tërmeti.

Me një postim në Facebook, Rosario Petta në logon “Shqipëria Solidare” u bën ftesë të gjithë arbëreshëve, shoqatave dhe biznesit që të japin ndihmë konkrete për popullin shqiptar në këto momente dhimbje si dhe ka publikuar të gjitha llogaritë bankare që janë vënë në dispozicion për të mbledhur fonde për qytetarët e prekur.

“Një ftesë drejtuar atyre që synojnë t’i japin një ndihmë konkrete popullit shqiptar, të gjitha shoqatave, bizneseve, për të ofruar ndihmën dhe solidaritetin e tyre, në këtë moment dhimbje dhe vështirësie së madhe, për familjet dhe qytetarët në nevojë, të prekur nga tërmeti. #Shqipëria Solidare” shkruan Petta.

Tërmeti i 26 nëntorit shkaktoi 42 viktima, 750 të plagosur, dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa perona të tjerë vijojnë të jenë të bllokuar nën rrënoja. Në këtë moment të vështirë, solidariteti me popullin shqiptar ka qenë i madh nga të gjitha vendet e botës.



Skip to toolbar