Shijak e Vorë, akomodohen banorët e prekur, nis verifikimi i banesave të dëmtuara

AKTUALITET


Fatmirësisht nuk ka viktima as të lënduar në Shijak e Vorë nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit, por vetëm dëme materiale.

Pas rënies së tërmetit Bashkia e Shijakut ka ngritur shtabin e emergjencave për të verifikuar situatën në terren. Grupet e punës kanë nisur verifikimet e ndërtesave kolonat e të cilave kishin pësuar dëmtime dhe lëvizje gjatë tërmetit. Për banorët e këtyre pallateve edhe banesave, janë ngritur dy qendra strehimi në Shijak, një në palestrën e shkollës “Muharrem Dollaku” ku janë akomoduar 60 persona dhe një në një kalçeto sportive Arena, e vënë në dispozicion nga një biznesmen, ku 180 persona janë akomoduar duke i plotësuar të gjitha kushtet kryesore. Bashkia Shijak ka ngritur dhe 6 çadra në oborrin e një shkolle pasi disa banorë kanë frikë të qëndrojnë në apartamentet e tyre.

Dëme të mëdha nga tërmeti ka pasur edhe në Vorë, ku disa banesa e pallate janë konsideruar të pabanueshme. Për t’ju ardhur në ndihmë banorëve, me ndihmën e skuadrave të emergjencave civile, të ardhura nga Italia është bërë e mundur ngritja e një kampi, në qytetin e Vorës, ku janë sistemuar provizorisht qytetarët e prekur nga tërmeti. Në kampin e ngritur parashikohet të akomodohen rreth 200 qytetarë të Vorës. Çadrat e vendosur janë të një cilësie të lartë çka do të mundësojë kushte optimale për të kaluar këtë periudhë tranzitore.

“Me mbështetjen e emergjencave civile italiane, të cilat na kanë ndihmuar shumë edhe në kampet e tjera që kemi ngritur, sot po mundohemi që të sistemojmë një grup të madh të qytetarëve të Vorës. Ndërkohë për sa i përket banorëve të zonave rurale do të mundohemi që t’i akomodojmë në oborret e tyre, pasi banorët e zonave rurale kanë dhe bagëti dhe nuk dua të largohen nga banesat e tyre, për këtë arsye ata do të trajtohen me çadra individuale për çdo familje”, u shpreh Balluku.



Skip to toolbar