20 vjeçarja Xhesika Biqiku ndërroi jetë të shtunën në mesditë pas katër ditësh qëndrimi në gjendje koma. Vajza nuk ia doli t’i mbijetonte plagëve të marra nga tërmeti i tmerrshëm i 26 nëntorit. Ajo bashkë me motrën e saj u goditën nga tullat teksa dolën nga shtëpia e tyre e shembur në zonën e Kombinatit në Tiranë. Motra e saj, Sabina ndodhet e shtruar në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Xhesika dha frymën e fundit.
Vetëm disa orë më herët gjatë të shtunës, babai i Xhesikës i kërkoi mes lotësh kryeministrit Edi Rama, i cili ndodhej në Kombinat, ndihmë për ta dërguar jashtë vendit për kurim.
“Kam gocën në spital, në reanimacion. Tani po rrinë doktorët, italiani dhe shqiptari, faleminderit shumë po u përmend një çik thonë italianët direk ne do ta çojmë në Itali. Kam gocën e madhe, Sabinën, jashtë rrezikut është sakatu. (qan) Po ashtu fol ndonjë llaf të mirë të ma çojnë gocën, të mbushë 20 vjeçe”, tha i ati i Xhesikës mes lotësh.
Kryeministri Rama i përgjigjet se “vajza jote sot, është edhe vajza ime”, duke e garantuar babain e Xhesikës për të gjithë vëmendjen e personelit mjekësor.
Por për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, mjekët kishin këshilluar që Xhesika të mos transportohej nga spitali, për shkak se nuk ishte e mundur që ajo ta përballonte lëvizjen. Mesa dukej mjekët e dinin se Xhesika do ia dilte dot, sikurse fatkeqësisht ndodhi mesditën e së shtunës.