Lehtësohen nga taksat bizneset që japin ndihma për tërmetin

AKTUALITET


Ministria e Financave ka bërë gati një Akt Normativ i cili parashikon krijimin e lehtësirave për të gjitha ato biznese që do të ndihmojnë qeverinë dhe do të kontribuojnë për banorët e prekur nga tërmeti. Ministria e Financave nxit të gjitha bizneset që të kontribuojnë për nismën “Shqipëria Solidare” me qëllim lehtësimin e pasojave nga ky tërmet tragjik.

Akti Normativ parashikon që do të rritet nga 3% në 8% fitimi i tatueshëm, njohja si shpenzim i zbritshëm i donacioneve në mjete monetare, të bëra nga bizneset. “Kjo incentivë në shërbim të angazhimit tonë ekonomikisht solidar do të vlejë për periudhën e “gjendjes së fatkeqësisë natyrore” brenda afatit të përcaktuar në legjislacion”, njofton ministria.


Shpenzimet e zbritshme në masën 8%, nga 3% që është aktualisht, do të mund të përfitohen vetëm nëse donacioni do të adresohet në llogaritë e thesarit, të vëna në dispozicion nga Ministria e Financave.

Gjithashtu me rëndësi të theksohet se ky akt vlen edhe për donacionet për shkak të shpalljes së “gjendjes së fatkeqësisë natyrore” të bëra në formën e pasurive të paluajtshme.

Thirrjes së Qeverisë për kontribute për tërmetin përmes platformës online e-Albania/dhuro, i janë bashkuar shumë biznese nga brenda dhe jashtë vendit.




Skip to toolbar