“Kemi plan afatgjatë”, vullnetarët nga Korea: Do mbledhim fonde të ndihmojmë shqiptarët

AKTUALITET


Solidariteti në këto ditë të vështira që po kalon Shqipëri është i jashtëzakonshëm. Qytetarë të thjeshtë, të njohur e të panjohur brenda e jashtë vendit, klube futbolli, artistë, biznesmenë, politikanë e shumë të tjerë nga çdo vend i Europës, i janë gjendur pranë Shqipërisë pas tërmetit. Por, solidariteti nuk mungon as nga njerëzit që jetojnë në anën tjetër të botës.

Një grup vullnetarësh nga Korea e Jugut, të hënën ishin në Shijak ku po ndihmonin banorët e prekur nga tërmeti. Për Neës 24, foli një prej drejtuesve të këtij grupi. Në gjuhën shqipe, vullnetari nga Korea e Jugut u shpreh se kishin dëshirë të ndihmonin popullin tonë, ndërsa tha se kanë një plan afatgjatë për të ndihmuar banorët e prekur nga tërmeti.

 “Ne kemi shumë dëshirë që të marrim pjesë në vuajtjen e popullit shqiptar, t’i ndihmojmë. Sot ne kemi marrë ca pije për të gjithë njerëzit që janë këtu. Por, ne kemi një plan të gjatë, t’i mbështesim me qira ata që kanë humbur shtëpitë”.

“Tani është hapi i parë dhe ne po testojmë së bashku, po mbledhim fonde nga Koreja. Kemi qenë në Durrës te stadiumi dhe shkolla, ndërsa grupi tjetër ka qenë në Thumanë e Laç. Ndërsa sot erdhëm në Shijak, pasi një familje na shkroi mesazh se kishin nevojë për ndihmë. Kemi shumë dhimbje, ishte një tragjedi e madhe”.

“Ndodhi në shtator dhe menduam se ishte tërmeti i fundit, por ndodhi sërish, dhe tani ka shumë dëme, shumë humbje, një familje ka humbur 8 persona. Sa të kemi mundësi, ne duam të marrim pjesë edhe në vuajtjen e shqiptarëve, ne jemi gjysmëshqiptarë, pasi kemi kaluar shumë vite këtu, gjysmën e jetës. Fëmijët tanë u rritën në Shqipëri, janë në Kore tani, por kanë shumë dhimbje për këtu”, tha koreani.



Skip to toolbar