“Durrësi duhet të jetë i pastruar para Vitit të Ri nga inertet” tha Rama gjatë mbledhjes që zhvilloi në qendrën e Emergjencave në qytetin bregdetar. Rama tha se inertet e banesave dhe pallateve të prishura do të çohen në Porto Romano ku ka nisur dhe puna për ndërtimin e parkut dhe pastrimi i vendit do të bëhet me kuadrate, si Lana në Tiranë. Rama tha se do t’u përcaktojë kuadratin e tyre me inerte çdo kompanie ndërtimi dhe më pas do të nis pastrimi.
“Tani, disa gjëra që duhet nesër të jenë në tavolinë. E para lista e investitorëve që kanë ndërtuar pallatet të cilat janë me dëme por janë nga pikëpamja strukturore ok, për të cilat grupet thonë që ky riparohet. Këta do thirren të gjithë dhe do iu thuhet bëhu gati do i riparosh një për një, jo si të thuash ti po si të themi ne, me gjithë parametrat teknikë me supervizion tek koka, çdo gjë. Unë dua nesër në darkë informacion kush janë këta dhe ku janë këta. Se mund të ketë ndonjë që nuk është këtu, ndonjë që bën si i falimentuar ose është i falimentuar, nuk ka rëndësi. Listat dhe personat dhe gjëja e parë ti që e ke marrë detyrën dhe do drejtosh bashkinë deri në zgjedhje, do i thërrasësh ti. Pallatet që janë minus, që janë negativ, pra ky nuk bëhet, do shemben por është problemi i inerteve. Na duhet nesër harta e Durrësit me pikat ku janë inertet. Do ta pastrojmë para Vitit të Ri komplet. Siç u pastrua Lana me kuadrate. Kompanitë e ndërtimit do t’i thërras unë ky është kuadrati jot, shko pastroje. Tjetra, inertet do të depozitohen të gjitha në Porto Romano. Do çohen inertet dhe do fillojë menjëherë projekti ta heqim atë fushë plehrash e ta bëjmë park komplet atje siç bëhen në botë nga këto inerte parqe, ne e kemi filluar punën tani me këtë rast edhe inertet dhe parkun dhe fitojmë parkun”, deklaroi Rama.