Rama, Bashës: Idetë jepi në tavolinë, po ulemi me Metën që jemi në konflikt të hapur

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama tha se kreu i PD-së, Lulzim Basha duhet t’i bëjë propozimet në tavolinë dhe jo të hedh propozime nga larg si ato që bën me reformën zgjedhore. Rama tha se Basha duhet të vijë në tavolinë me propozime konkrete në mënyrë që pas kësaj tragjedie të ngrihemi edhe më të fortë se më parë.

“Do të ishte mirë që Lulzim Basha dhe forcat politike të mos bënin propozime si ata propozimet si reforma zgjedhore ose reforma në drejtësi. Të bëhen sugjerimet haptazi. Ne po bëjmë një garë me kohën e jo me njëri-tjetrin, një garë me emocionet e rënda që përjetojnë njerëzit, e natyrisht edhe një garë me të ardhmen, që të ngrihemi më të fortë se ishim më përpara. Basha të vijë dhe të bëjë propozimet në tavolinë.  Nëse Basha ka ide, të vijë dhe të propozojë konkretisht”, tha Rama.


Rama tha se mirëpret çdo iniciativë ndihme për banorët e prekur nga tërmeti, duke vlerësuar edhe presidentin Meta, edhe pse siç cilëson ai “janë në një konflikt të hapur”.

“Me presidentin jemi në konflikt të hapur. Por ne jemi me të gjithë ata që duan të ndihmojnë njerëzit. Kjo sepse kjo është një tragjedi që ka prekur të gjithë njerëzit. Pavarësisht se jemi në konflikt me presidentin, ne prapë bashkëpunojmë me këdo që është me njerëzit në këto momente të vështira”, deklaroi Rama.

Kreu i PD-së, Basha më herët bëri disa propozime për zgjidhen e kësaj krize gjatë një takimi me banorët e prekur nga tërmeti në fshatin Bubq, duke renditur tre pika kryesore:

1. Angazhimi dhe organizimi nga shteti i mbi 500 inxhinierëve.

2. Vlerësimin me urgjencë të banesave të dëmtuara dhe dëmeve të shkaktuara.

3. Qeveria në kuadër të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të anulojë me efekt të menjëhershëm rreth 150 milionë dollarë të planifikuara për t’ju dhënë 10 oligarkëve.




Skip to toolbar