“Ky tërmet ishte vdekja e ligjit të legalizimit”, Kika: Thuajse çdo godinë ka ndërhyrje

AKTUALITET


Avenir Kika nga Shoqata e Ndërtuesve tha se tërmeti i 26 nëntorit tregoi se ligji i legalizimeve ka vdekur. I ftuar në emisionin “Real Story” Kika tha se masakra që është bërë me ndërtimet dhe legalizimet treguan që dështuan, pasi ndërhyrjet që janë bërë në strukturën fillestare shkaktuan dhe tragjedinë me tërmetit. Avenir Kika tha se fatkeqësisht thuajse çdo godinë ka ndërhyrje në katet e para apo me shtesa dhe kjo dobëson parametrat dhe strukturën e saj duke sjellë edhe shembjen.

“Tërmeti ishte vdekja e ligjit të legalizimeve. Ky ligj sot duhet të ketë marrë fund. Edhe një vilë 1 apo 2 katëshe duhet të ketë konstruktorin, duhet të ketë shpimin gjeologjik, duhet të ketë sizmologun. Instituti duhet të ndryshojë kodet urgjentisht. Çdo lloj ndërhyrje në një projekt apo godinë qoftë në bodrume, në katin zero apo edhe me kate shtesë ndërhynë në strukturën e saj dhe parametrat e saj duke e dobësuar atë. Më thoni një godinë që nuk ka ndërhyrje. Thuajse të gjitha kanë, ku me katete e para dhe ku me shtesat duke dalë nga projekti fillestar”, u shpreh Kika

Avenir Kika tha se firmave ndërtuese u është dërguar një email që të ndërhyjnë për të riparuar objektet që kanë ngritur dhe janë dëmtuar nga tërmeti. Kika tha se beson se kompanitë do t’i riparojnë, në të kundërt “do publikoj kompaninë dhe objekte që ajo zotëron dhe le të përgjigjet vetë”.



Skip to toolbar