Duke marrë parasysh sa shpesh bien tërmete në Japoni, të gjitha godinat kanë njëfarë mbrojtjeje nga lëkundjet. Shtëpitë në Japoni ndërtohen sipas një kodi strikt ndërtimi që mbështetet nga ligji. Ligjet vlejnë edhe për shkollat dhe godinat shtetërore. Thuhet se 87% e ndërtesave në Tokio i kalojnë tërmetet pa problem.
Disa struktura ndërtohen që të jenë fleksibël në rast lëkundjesh dhe disa ndërtohen me Teflon, që i lejon të lëvizin bashkë me lëkundjet. Ndërtesa të tjera bëhen me baza gome të fryrë a me lëng që thithin lëkundjet. Kulla e famshme e Tokios, Skytree imiton formën e tempujve pagoda, që i kanë mbijetuar tërmeteve shekujve të tërë.
Përditësime në telefon
Çdo celular në Japoni ka një sistem alarmi për cunamit dhe tërmetet. Alarmi jepet pesë deri në dhjetë sekonda para katastrofës dhe u jep mundësi qytetarëve të mbrohen me shpejtësi. Sistemi thotë “Jishin desu! Jishin desu!” (që do të thotë “ka tërmet”) deri kur ndalojnë lëkundjet.
Trena të përgatitur
Japonia dominohet nga trenat dhe rrjeti i shinkansen (trenave plumb) që janë transporti i të ardhmes. Për të siguruar jetën e pasagjerëve, trenat janë të pajisur me mekanizma që dallojnë lëkundjet që në sekondat e para dhe ndalojnë menjëherë së lëvizuri. Në vitin 2011, një tërmet me magnitudë 9.0 goditi vendin. Ishin 27 shinkansen në lëvizje. Secili prej tyre ndaloi para se të binte tërmeti, të sinjalizuar nga lëkundjet e vogla që i paraprinë. Nuk pati as të lënduar, as të vdekur.
Mbulim i menjëhershëm televiziv
Në momentin që bie një tërmet, të gjitha kanalet televizive të japonisë transmetojnë mbulim të ngjarjes, për të informuar qytetarët. Mbulimi flet për tërmetet, ku të mbrohen banorët dhe në ka cunami në oqean.
Edukim dhe ndërgjegjësim mbi parandalimin e katastrofave
Që në moshë të hershme, fëmijët japonezë bëjnë stërvitje në shkollë si duhet të sillen në rast tërmeti. Nëse gjenden brenda, u mësohet të futen poshtë tavolinave dhe të mbajnë këmbët me duar deri sa të mbarojnë lëkundjet. Nëse ndodhen jashtë, mësohen të vendosen në qendrën e një hapësire të hapur për të mos u goditur nga rrënojat.
Gjithashtu, zjarrfikësit i vendosin fëmijët në simulatorë tërmeti, që të mund ta dallojnë që në vegjëli kur bëhet fjalë për lëkundje.
Muzeu Përkujtimor i Tërmeteve
Japonia e mbron popullsinë nga tërmetet e të ardhmes duke u mësuar për tërmetet e kaluara. Në vitin 1995, qyteti i Kobe u godit nga një tërmet që vrau pesë mijë njerëz dhe shkatërroi me dhjetëra mijëra shtëpi. Pasi rindërtoi qytetin, Kobe ndërtoi edhe muzeun përkujtimor.
Përveçse kujton jetët e humbura, muzeu shërben edhe si një qendër edukative mbi parandalimin e katastrofave dhe mbijetesën.
Kuti për t’i mbijetuar një tërmeti
Çdo shtëpi përgatitet në rast se më e keqja ndodh. Shumë prej tyre blejnë kuti të gatshme, që përmbajnë ndihmën e parë, ujë, racione ushqimore, doreza, maska fytyre, dyshekë të hollë, radio dhe pishtarë. Mund të blihen në dyqane si Don Quixote ose Tokyu Hands.
Tuneli i Shkarkimit të Ujit
Në periferi të Tokios, ndodhet Tuneli i Shkarkimit të Ujit, shtrirë nën një fushë futbolli dhe një parku skateboard-i. Ky tunel mbledh ujin e tepërt nga ciklonët a cunamit dhe e shpërndan në lumin Edo. Nëse zona goditet nga një tërmet dhe tërmeti shkakton një cunami, qyteti s’ka për t’u përmbytur. U deshën 13 vjet për ta ndërtuar dhe kushtoi 3 miliardë dollarë./alsat.mk