Të dënuar në Itali, Interpol i arreston në Shqipëri

AKTUALITET


Policia e Shtetit tha të martën se arrestoi tre shtetas të cilët ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli në Itali. Në qytetin e Beratit është ndaluar shtetasi shqiptar me inicialet G.B., 31 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjykata e Arezzos, Itali, ka lëshuar ndaj këtij shtetasi urdhër-arresti ndërkombëtar për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim, në mënyrë të përsëritur”. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, nga periudha dhjetori i vitit 2017 deri në qershor të 2018 është i përfshirë në trafikimin e lëndës narkotike, kryesisht të llojit kokainë. Në qershor 2018, ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë kishte marrë 139 doza me lëndë narkotike kokainë, me qëllim për ta shpërndarë në qytetin e Arezzos.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë së Elbasanit kapën dhe arrestuan shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar:  Dritan Kllogjeri, 34 vjeç. Gjykata e Firences, Itali e ka dënuar këtë shtetas me 5 vjet burg për veprën penale “Krime seksuale”. Ky shtetas nga viti 2007 deri në 2012, në Firenzuola dhe Firenze e ka detyruar duke e kërcënuar dhe rrahur ish-gruan e tij për të kryer marrëdhënie seksuale.


Nga ana e shërbimeve të Seksionit të Kërkimit pranë Sektorit F.P. të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në rrugën “Hamdi Sina”, u bë e mundur kapja dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimi i shtetasit  Ernest (Nasi) Kaçi., 45 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në 19 nëntor 2019. Autoritetet gjyqësore italiane kanë lëshuar urdhër-arresti më datë 28 tetor 2019, pasi Gjykata e Sienas, Itali e ka dënuar këtë shtetas me 12 vite burg për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Mbajtja e sendeve të vjedhura”.




Skip to toolbar