Janë hapur gropat dhe është bërë gjithçka gati për vendosjen e kallëpeve të tritolit, për të bërë të mundur shembjen e një pallati të dëmtuar nga tërmeti në qytetin e Durrësit. Vendimi është marrë nga ekspertët e huaj të cilët vendosën shembjen e kontrolluar të pallatit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ekipet xheniere të Forcave të Armatosura kanë marrë masat e sigurisë për një perimetër të gjerë.
Trupa xheniere është udhëzuar dhe pritet që sa më shpejt të mundësojë rrëzimin e pallatit që ka dëmtime serioze, ndonëse i shpëtoi shembjes, si të tjera ndërtesa, në rrënojat e të cilave u gjetën edhe viktima.
Ndërkohë, policia ka marrë udhëzime të qarta, se për një perimetër të gjerë rrugëkalimet duhet të bllokohen, për të shmangur çdo incident të mundshëm.
Edhe banorët e tjerë të banesave aty rrotull do të evakuohen për të mos pasur ngjarje të rënda.










