Tragjedia që krijoi tërmeti i 26 nëntorit, preku mijëra shqiptarë, e padyshim mes tyre dhe politikanët. Ish-ministri i Financave dhe Eknomisë, Arben Ahmetaj, që aktualisht drejton Komitetin për Rindërtim, tregoi në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, njohjen me familjen Reçi në Durrës. Ahmetaj tregoi se njihej që në shkollë me kryefamiljarin, Eduardin, që humbi jetën së bashku me jetën dhe vajzën nga tërmeti tragjik.
“Me të ndjerin Eduard, Eduardin njihemi që në shkollë. Kemi punuar në ‘97-‘98 në Ministrin e Financave dhe Tatimeve dhe kemi pasur miqësi të vazhdueshme ndër vite. Humbje e madhe për familjet e tyre, shumë e madhe për gjithë psikologjinë shoqërore që rëndohet nga humbje njerëzish nga fatkeqësi natyrore që edhe në aspektin shkencor nuk mund të parashikohet”, deklaroi Ahmetaj.
Më tej, Arben Ahmetaj foli dhe për situatën e vështirë të rindërtimit dhe kalimin e emergjencës kombëtare. Ai tha se e gjitha kjo kalohet vetëm me kontributin e shumë aktorëve, ndërsa theksoi se qeveria ka peshën kryesore në këtë proces.
“Janë elementë që kanë të bëjnë me emergjencën dhe post emergjencën për të shkuar pastaj tek rindërtimi. Ajo që dua të theksoj është përgjigjja e gjithë aktorëve të shoqërisë. E para është qeveria me një grup 24 orë i drejtuar nga ministri Çuçi. Ne fondet do t’i vendosim për rindërtimin. Ajo që bën kryeministri apo që tentojmë të bëjmë të gjithë ne, në korsitë e tyre, jo vetëm qeveria, parlamenti, aktorë të shoqërisë civile, këtu bëhet fjalë për ringritje”.
“Emergjencë, ringritje, rindërtim. Ringritja është edhe ringritje për shoqërinë sepse kanë humbur jetë njerëzish, janë lënduar qytetarë, janë dëmtuar banesa. Është një traumë shumë e rëndë shoqërore. Tek ringritja nuk është vetëm një njeri, një entitet. Patjetër që qeveria ka detyrën por ka nevojë edhe për kontribut nga të gjithë aktorët për ta ringritur shoqërinë”, deklaroi Ahmetaj./Realstory.al/