Çela, nga dosjet e nxehta te përplasja me Markun

#NËRADAR


Pasditen e të enjtes, rreth orës 15:30, me 101 vota pro, Prokurori Olsian Çela u votua në Kuvend në postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë. Çela mori shumicë të cilësuar votash nga maxhoranca dhe opozita në Kuvend, duke i dhënë atij një mandat të ri 7-vjeçar.

Po kush është Olsian Çela? Dosjet që ka hetuar dhe përplasjet me ish-Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku, të cilën e kishte përsëri përballë në garën për postin e kryeprokurorit.

Olsian Çela e nisi karrierën në vitin 2001 duke punuar si prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Pas tre vitesh punë në këtë prokurori, Olsian Çela emërohet prokuror te Krimet e Rënda, ndërsa nga viti 2008 deri në 2012 ai drejtoi këtë prokurori. Gjatë kësaj kohe, Olsian Çela dhe grupi i prokurorëve që ai drejtoi hetoi shumë dosje të nxehta të kohës, duke përmendur dosjen: “Xibraka” që çoi pas hekurave nipin e ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxhën dhe 8 pjesëtarët e këtij grupi.

Ai hetoi dhe çoi para drejtësisë pjesëtarët e dosjes: “Kompas”, që la në burg 32 trafikantët që përdornin prostitutat si korrierë dhe çështjne e “vrasjes së Mirit të Xhikes”. Dosja “Shullazi” ishte ajo që përplasi Olsian Çelën me drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela.

Prokurori Çela nuk pranoi të merrte në dorë dosjen “Shullazi” kur Prokurori i kësaj dosje, Ened Nakuçi dha dorëheqjen për arsye shëndetësore. Hetimet ishin në fazën e fundit, ndërsa Prokuroria ishte gati për të dhënë pretencën, por Olsian Çela nuk e mori në dorë këtë dosje. Prela vendosi ta zëvendësonte me short Nakuçin, por prokurorët e quajtën të paligjshme praktikën.

Në këtë ngërç të krijuar ndërhyri Arta Marku, e cila e transferoi Olsian Çelën dhe disa prokurorë të tjerë, duke kërkuar dhe hetim disiplinor. Por në atë kohë, Olsian Çela përflitej se do të kandidonte në postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ai e ankimoi transferimin në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, institucion që rrëzoi vendimin e Arta Markut duke e rikthyer përsëri Çelën prokuror te Krimet e Rënda.

Olsian Çela kaloi Vettingun pa probleme. Atij nuk iu gjet parregullësi në pasurinë e tij, integritetin moral dhe atë profesional. Përpara Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ditën që dha intervistën, Olsian Çela bëri “mea culpa”, pasi tha që prokurorët, ai dhe kolegët e tij, kanë qenë të ashpër ndaj të dobtëve dhe jo ndaj të fortëve. Çela u shpreh se në këtë mënyrë janë rritur problemet sociale në Shqipëri.

Vetëbesimi i Prokurorit të ri të Përgjithshëm u duk edhe kur ai u pyet në KLP në lidhje me pavarësinë nga politika. Olsian Çela u shpreh se Reforma në Drejtësi i ka rritur dinjitetin prokurorëve duke i bërë të pavarur. Çela njeh mirë 4 gjuhë të huaja, ndërsa karriera e tij nuk mbetet vetëm në fushën e hetimit si prokuror, por dhe të mësimdhënies në Shkollën e Magjistraturës. /Realstory.al/



Skip to toolbar