Kryeprokurori, lista e KLP drejt Kuvendit

AKTUALITET


Të martën e javës së ardhshme, Kuvendi pritet të marrë listën me tre kandidatët e përzgjedhur nga KLP për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Pasi u bë intervistimi dhe renditja e tre kandidatëve nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ky institucion pritet të dërgojë emrat e Olsian Çelës, Arta Markut dhe Fatjona Memçaj, për votim në Kuvend.

Sipas Ora Tv, asnjë nga kandidatët nuk do të bëjë apelim të renditjes në listë në Gjykatën Administrative. Arsyet lidhen me faktin se kandidatët janë njohur vetëm me pikët dhe renditjen, por pa u njohur se në cilin kriter kandidatët kanë pasur vlerësime jo të mira. Megjithatë, ligji u lejon tre ditë afat kandidatëve për kryeprokuror për të bërë ankim për listën dhe pikëzimin e KLP.


Në rastin konkret, dy kandidatet Arta Marku dhe Fatjona Memçaj kanë deri të hënën afat për të bërë ankim në Gjykatë Administrative. Nëse kjo gjë nuk ndodh, KLP i dërgon në mënyrë të menjëhershme listën me renditjen e tre kandidatëve Kuvendit.

Më pas parlamenti do të duhet të votojë me shumicë prej 84 votash një nga tre emrat e listës së KLP për postin e Prokurorit të Përgjithshëm. Pavarësisht renditjes që bën KLP, Kuvendi ka të drejtën të zgjedh një nga tre emrat e listës, prokurorit Olsian Çela, Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku dhe kandidates Fatjona Memçaj.




Skip to toolbar