Dy persona janë vënë në pranga nga policia, mesditën e së hënës pas një sherri për pronën në fshatin Shesh të Ndroqit dhe falë reagimit të efektivëve të komisariatit numër 6, të cilët kishin marrë informacion në rrugë operative, u bë e mundur parandalimi i një vrasje.
Shtetasi D. N., 45 vjeç, banues në fshatin Shesh, të Ndroqit u arrestua në flagrancë pasi goditi me kazmë shtetasin E. D, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Konflikti midis shtetasve ka agravuar më tej nga djali i shtetasit të dëmtuar, i cili ka marrë një armë gjahu të mbushur me fishekë, të cilën e posedonte me leje dhe ka tentuar të qëllojë shtetasin D. N., në banesën e tij, por nuk mundi dot falë veprimeve të shpejta të Policisë.
Në pranga ka rënë edhe K. D., 27 vjeç edhe ky banues në fshatin Shesh të Ndroqit.
Falë veprimeve të shpejta të policisë është bërë i mundur edhe bllokimi i armës së gjahut me fishekë, me të cilën ky shtetas dyshohet se do kryente krimin.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, në ngarkim të D. N dhe “Vrasje e mbetur në tentativë”, në ngarkim të shtetasit K. D.