Këshilli Bashkiak i Lezhës ka miratuar këtë të enjte buxhetin e vitit 2020, por nuk është përfshirë fondi për rindërtimin e ndërtesave të dëmtuara nga tërmeti 26 nëntorit. Ndërsa investimet do të jenë kryesisht si pjesë e zërave në fondin e shërbimeve publike. Kryetari i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu tha se do të pritet dalja e aktivit normativ nga qeveria për të parë se cila do jetë mbështetja që do marrin prej saj në mënyrë që dhe bashkia të bëjë planifikimin e tyre për fondin në ndihmë të të prekurve nga tërmeti.
“Mund të alokojmë edhe të gjithë fondin e investimeve për tërmetin. Ne nuk thamë jo as po, por ne jemi të varur nga një procedurë ligjore që po miratohet dhe nuk do të marrim një vendim bashkiak në kundër kohë me aktin normativ dhe me aktet e tjera që i vendos qeveria dhe i firmos presidenti. Ne nuk thamë që e kemi siguruar fondin, atë fond që për një pjesë të familjeve do i japim direkt në dorë. Por nuk mund të veprojmë pa një gjë që nuk është qartësuar ligjërisht se cila është fasha që do mbajmë ne dhe cila është pasha që do mbajë ministria e rindërtimit”, tha Pjerin Ndreu.
Ndërkohë këshilltari Agustin Marku e ka quajtur të papranueshëm një vendim të tillë pavarësisht se koha ka qenë e mjaftueshme për reflektim. “Të miratohet një buxhet sot dhe të justifikohet që do shohim tepricat e vitit. Dhe mos të futet kolonë e veçantë program i rindërtimit mua më duket pa sens. Tërmeti ka rënë në 26 nëntor buxheti u miratua sot. Sa përqind e buxhetit të bashkisë Lezhë do shkojë për dëmet nga tërmeti ka kush një shifër sot?”, tha Agustin Marku këshilltar i PSM. Buxheti i vitit 2020 i Bashkisë Lezhë ka vlerën e rreth 1.8 miliardë lekë, prej të cilave 400 milionë do të shkojnë për investime.