Ilir Meta s’dorëzohet as ditën e fundit. Dekoron Vasil Laçin si atentator…

AKTUALITET


Në ditën e fundit të 2019, presidenti Ilir Meta i jep dekoratën më të lartë atë të “Flamurit Kombëtar, heroit të Luftës Antifashiste, Vasil Laçit, ndërsa përçon dhe një mesazh për rininë se rruga e lirisë kërkon përballje me pushtuesin. Përgjatë gjithë vitit 2019 në çdo deklaratë të tij, presidenti Meta ka folur me kode dhe me nënkuptime, por nuk kanë munguar edhe shpërthimet live dhe sulmet kundër qeverisë dhe faktorit ndërkombëtar.

Vasil Laçi kujtohet si personi që u përpoq të vrasë mbretin e Italisë dhe uzurpatorin e fronit të Shqipërisë Viktor Emanueli III dhe Shefqet Bej Vërlacin, Kryeministër i Shqipërisë, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Pikërisht në ditën e fundit të vitit Meta vendosi të dekorojë heroin e luftës duke vlerësuar lart aktin e tij “atentatin”.

Presidenti kujton se tërmeti i 26 nëntorit nuk lejoi që shteti ta përkujtonte me madhështinë që i takon 75-vjetorin e Çlirimit të Atdheut nga pushtuesit nazifashistë!

Ai thekson se Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare do të mbetet gjithmonë një nga epopetë më të ndritura të popullit tonë në betejat për liri, çlirim, pavarësi dhe dinjitet kombëtar.

“Për shkak të fatkeqësisë natyrore të 26 nëntorit nuk mundëm ta përkujtonim me madhështinë që meritonte këtë 75-vjetor të Çlirimit!

Por sot kam kënaqësinë dhe nderin të ndaj me ju vlerësimin me Dekoratën më të lartë, atë të “Flamurit Kombëtar”, të njërit prej heronjve më të guximshëm dhe frymëzues të Rezistencës Antifashiste të popullit tonë, Vasil Laçit”, shkruan Meta.

Sipas Metës, akti i tij buronte nga atdhedashuria por edhe nga ndjenjat e revoltës mbarëkombëtare ndaj pushtuesit dhe puthadorëve të tij.

“Në moshën 19 vjeçare, Vasil Laçi në 17 Maj 1941 i foli pushtuesit në emër të mbarë popullit shqiptar në gjuhën që meritonte përmes aktit të tij historik.

I bindur në sakrificën më sublime që po bënte, Vasil Laçi me krismat e tij zgjoi fort ndërgjegjen kombëtare të rinisë shqiptare dhe popullit tonë, duke u treguar se rruga e lirisë kërkonte përballje me pushtuesin dhe vendosmëri për sakrificat më sublime.

Përmes këtij akti sublim, Vasil Laçi ndërpreu poezitë dhe rininë e tij për t’i treguar mbarë rinisë se cila ishte rruga për realizimin e ëndrrës së Lirisë.

Akti heroik i Vasil Laçit kundër uzurpatorit të fronit të Shqipërisë ishte demonstrimi më kuptimplotë patriotik dhe atdhetar kundër pushtimit fashist dhe dhunimit të sovranitetit shtetëror dhe kombëtar”, shkruan Meta.



Skip to toolbar