Shkrimtari Ismail Kadare është nderuar nga Franca me titullin e lartë “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”. Lajmi bëhet me dije nga deputetja Mirela Kumbaro.
“Ismail Kadare, Oficer i Madh i Legjionit te Nderit! Ka vetëm 250 të tillë sot në Francë. Nuk mund të fillonte më mirë ky vit 2020! Me dekret të posaçëm të Presidentit të Francës Emmanuel Macron, shkrimtari ynë, pasi fitoi titullin prestigjioz ‘Komandant i Legjionit të Nderit’ në vitin 2016, shpallet sot ‘Grand Officier de la Legion d’Honneur’. Faleminderit Ismail. Merci la France”, shkruan Kumbaro.
Presidenti i Republikës Ilir Meta ka reaguar pas dhënies së titullit të lartë nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”. “Vlerësimi i lartë i shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare, uroj të jetë një fillim i mbarë në këtë ditë të parë të 2020 për afirmimin e merituar europian të popullit tonë!”, shkruan Meta.
Në muajin tetor, shkrimtari Ismail Kadare është nderuar në Seul të Koresë së Jugut me çmimin prestigjioz “Pak Kyong” për vitin 2019. Ky është çmimi i vetëm ndërkombëtar letrar që Koreja e Jugut u jep shkrimtarëve.
Po në tetor, shkrimtari i njohur ka fituar çmimin Ndërkombëtar të Letërsisë Neustadt, që njihet edhe si Nobeli Amerikan, megjithëse humbi shansin për të fituar Nobelin që shpërndahet nga akademia suedeze, çmim që këtë vit e fitoi mbështetësi i gjenocidit dhe adhurues i Milloshevicit, shkrimtari austriak Peter Handke dhe që u kritikua gjerësisht, madje edhe nga kolegët e tij.