Partia Demokratike përmes sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi i ka nisur një kërkesë me 4 pika qeverisë dhe Bashkisë Krujë, me qëllim shmangien e grevës së urisë mbi 100 familjeve nga Thumana.
Mes këtyre kërkesave është edhe ajo për strehimin, pasi Bashkia e Krujës, ka vendosur një bonus qiraje prej 3 mijë lekësh për person, shumë me të cilën, sipas banorëve nuk mund të gjendet një banesë me qira.
Me anë të një letre që mban datën 31 dhjetor 2019, Partia Demokratike, i është drejtuar kryeministrit, Edi Rama si kryetar i Komitetit ndërministror për Emergjencat Civile dhe Artur Bushit si kryetar i bashkisë së Krujës, me 4 kërkesa nga banorët e Thumanës dhe që janë strehuar në hotelet e Shëngjinit.
Sipas PD, Bardhi u autorizua prej tyre t’u drejtohet autoriteteve shtetërore për plotësimin e 4 kërkesave urgjente të banorëve të Thumanës.
Katër kërkesat vijojnë si më poshtë:
1- Ofrimin e menjëhershëm të ndihmës shëndetësore për të gjithë banorët që kanë nevojë dhe që ndodhen në strehuar në Hotel Rafaelo.
2- Krijimin e kushteve për strehim të përkohshëm, në kushte normale jetese për këta banorë, gjatë periudhës që nevojitet për sistemimin e tyre në banesat e reja. Deri në përmbushjen e kësaj mase, asnjë banor nuk duhet të detyrohet të dalë jashtë ambientit ku strehohen aktualisht dhe Qeveria duhet të paguajë strehimin e tyre në Hotelin ku ndodhen. Bonusi i qirasë, në vlerën 3 mijë lekë për person, është i pamjaftueshëm për gjetjen e një strehimi nga vetë banorët. Vlera e qirasë është shumë herë më e lartë sesa masa që mbulon bonusi i qirasë. Këshilli Bashkiak i Krujës, duhet të rishikojë menjëherë vlerën e bonusit të qirasë për të gjitha familjet që kanë mundësi të gjejnë banesa me qira, duke bërë kompensimin e vlerës së plotë të qirasë. Ndërkohë që për familjet që janë në pamundësi për ta gjetur vetë banesën me qira, për shkak të gjendjes shëndetësore apo shkaqeve të tjera, të jenë autoritetet lokale që gjejnë dhe sigurojnë strehimin e tyre në kushte normale jetese.
3- Dërgimin e përfaqësuesve të autoriteteve shtetërore dhe lokale, për të informuar banorët e strehuar atje sesi do të veprohet me banesat e tyre, si dhe për t’u ofruar asistencë ligjore për plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm, duke shmangur burokracitë e panevojshme dhe kërkesat për dokumentacion jashtë mundësive të qytetarëve. Autoritetet përgjegjëse të sigurojnë banorët për kompensimin e plotë të vlerës së dëmit të pësuar, duke qenë se shumicës prej tyre u janë prishur banesat pa patur mundësi që të marrin gjerat e nevojshme që ndodheshin brenda në banesë. Për pasojë, këta qytetarë kanë humbur gjithçka kishin siguruar gjatë jetës së tyre, me vështirësi dhe mundësi të kufizuara financiare.
4- Ndërhyrjen e autoriteteve shtetërore për të siguruar që asnjë prej banorëve të prekur dhe që përkohësisht është strehuar larg qendrës së punës, të humbasë punën për këtë shkak. Autoritetet lokale duhet të marrin masat për të siguruar transportin e qytetarëve që janë në marrëdhënie pune larg vendit ku strehohen aktualisht, nga vendi i strehimit për në qendrën e tyre të punës.
Megjithatë gjatë një takimi që kryetari i Bashkisë Krujë që zhvilloi me banorët e Thumanës u arrit të shtyhej qëndrimi i tyre në hotele deri në gjetjen e një banese me qira dhe nuk do të dilnin më 3 janar siç ishte vendosur më herët.