Ndërsa kryeministri Edi Rama ka marrë të enjten (sot) kryesimin e presidencës së OSBE-së, një post ky që merret për herë të parë nga Shqipëria, kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka shpërndarë një raport për investimet e huaja në Shqipëri dhe akuzon qeverinë për mungesën e thithjes së këtyre investimeve. Raporti i publikuar nga Basha i përket agjensisë Fitch, dhe është publikuar më 9 dhjetor të vitit të kaluar, por kreu i PD-së zgjodhi ta shpërndante vetëm një muaj më pas. Për më tepër në raport përmenden protestat e vazhdueshme të opozitës dhe rritja e tensioneve mes partive politike si dhe bojkoti që opozita i bëri institucioneve të vendit.
Basha shkruan se ndërkombëtarët janë të lodhur me dështimet e qeverisë. Sipas kryeopozitarit, Shqipëria është një vend i rrezikshëm për të investuar dhe se komuniteti ndërkombëtar është lodhur nga dështimet e qeverisë aktuale.
“Sipas agjensisë prestigjioze ndërkombëtare Fitch, në vitin 2019 Shqipëria është bërë një vend edhe më i rrezikshëm për të investuar. Shanset tona për të tërhequr investime, të cilat i kemi shumë të nevojshme, po zvogëlohen përditë. Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar është lodhur nga dështimet e kësaj qeverie.
Por nuk ka pse të jetë kështu. Vendi ynë ka njerëzit dhe burimet e duhura për të ecur përpara. Ajo që na duhet, janë politika serioze dhe të mirëstudiuara që do ta ndalin krizën dhe do t’i japin vendit platformën që i nevojitet për të pasur sukses”, shkruan Basha.