Gjatë të enjtes IKMT shembi 5 ndërtimet e fundit te Astiri, shembja e të cilave u realizua pa asnjë reagim të qytetarëve të cilët më parë kishin boshatisur banesat, ndërkohë që nuk u dukën as përfaqësuesit e opozitës për të organizuar ndonjë protestë. Në përfundim të këtij aksioni ka reaguar kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj, i cili akuzoi opozitën duke thënë se Astiri ishte një kauzë false e keqpërdorur nga ajo.
“Astiri qe një kauzë false partish të lodhura, kundër Tiranës që ka nevojë për rrugë, sheshe, teatro e parqe! Pas ndërtesës së fundit, nis puna për Unazën e Madhe në 100 vjetorin e Tiranës kryeqytet!”, shkruan Veliaj.
Për më shumë se 1 vit opozita zhvilloi protesta pothuajse të përditshme të Astiri duke kundërshtuar shembjen e objekteve dhe duke penguar zhvillimin e projektit të Unazës së Madhe. Shumica e banorëve të kësaj zone është trajtuar me dëmshpërblim ose bonus qiraje nga bashkia e Tiranës.