Meta vijon luftën e dekreteve, kthen “antishpifjen” në Kuvend

POLITIKË


Presidenti Ilir Meta ka kthyer në Kuvend ligjin për paketën “antishpifje” ku shprehet se ky ligj “shkel parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik, të drejtën e lirisë së shprehjes, së shtypit dhe të drejtës së informimit”.  Mosdekretimi i paketës “antishpifje” nga Meta ishte parashikuar edhe herët nga kryeministri Rama, gjatë diskutimit të ligjit në Kuvend, duke vijuar “luftën” me dekrete mes Presidencës dhe Kuvendit.

Në arsyetimin e tij Meta thekson se ky ligj kërcënohen mediat antiqeveritare dhe se mekanizmat jo proporcionalë të forcës ndëshkuese që përmbajnë ndryshimet ligjore të miratuara, krijojnë hapësirë që ato të aplikohen përkundrejt mediave online që janë kritike me punën e qeverisë. Presidenti e konsideron ligjin “në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese”, si dhe në shkelje të standardeve të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

“Kjo gjendje censure krijohet përmes aplikimit të masave ndëshkuese jo proporcionale që këto dispozita parashikojnë, masa që mund të vlerësohen dhe vendosen nga organe administrative, të cilat në kundërshtim të hapur me rendin e brendshëm kushtetues dhe ligjor, u jepet fuqia që t’i vënë në ekzekutim të menjëhershëm këto masa, përpara se të ketë një vendimmarrje përfundimtare dhe të formës së prerë mbi ligjshmërinë e tyre. Hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve do të krijojë një mjedis arbitrar dhe të pasigurtë ndaj operatorëve mediatikë elektronikë, për shkak të trysnisë së aplikimit pa kriter dhe subjektiv të masave ndëshkuese dhe shproporcionale që parashikon ligji i miratuar.

Këto mekanizma jo proporcionalë të forcës ndëshkuese që përmbajnë ndryshimet ligjore të miratuara, krijojnë hapësirë që ato të aplikohen përkundrejt mediave online që janë kritike me punën e qeverisë. Kjo e fundit përmes përfaqësuesve të saj në organet vendimmarrëse dhe kompetencave që këto organe marrin, ka të gjitha mundësitë të shfrytëzojë këtë bazë ligjore që lejon interpretim subjektiv, të ndëshkojë në mënyrë të padrejtë çdo media e cila nuk i përshtatet vullnetit politik të shumicës.

Ky realitet do të prodhonte frikësimin dhe autocensurën, mbylljen apo pezullimin me pa të drejtë të mediave elektronike, duke ndikuar drejtpërdrejtë në cilësinë dhe objektivitetin e informacionit, ç’ka do të prodhonte furnizimin e publikut me fakte ndryshe nga realiteti, që jo vetëm keqorientojnë shoqërinë në kërkimin e të drejtave të tyre, por dhe në përmbushjen e përgjegjësive qytetare për ndërtimin dhe ruajtjen e vetë demokracisë”, shkruhet në dekretin e Metës.

Paketa antishpifje ka për qëllim shmangien e keqinformimet dhe fake news dhe se me ndryshimet e fundit të bëra para miratimit të tij në seancën e fundit të Kuvendit për 2019 nuk parashikon asnjë mbyllje të mediave online, por vetëm bllokim të lajmit të rremë. Gjatë debateve për këtë paketë, Rama tha se ky ligj është bërë në mbështetje të plotë nga OSBE dhe kjo u mbështet edhe nga përfaqësuesi i OSBE për Lirinë e Medias, Harlem Desir gjatë një deklarate për gazetarët shqiptarë në Vjenë më 8 janar 2020. Desir tha se ligji antishpifje është bërë duke u konsultuar me OSBE-në, e cila ka dhënë rekomandimet e saj për mënyrën e trajtimit të keqinformimit dhe se masat lidhen për rastet e nxitjes së terrorizmit, pornografisë me fëmijët dhe kërcënimin e sigurisë kombëtare. Pra qëllimi nuk është mbyllja e portalit, por shmangia e fake news ku kërcënohet jeta dhe siguria e vendit.



Skip to toolbar