Zgjedhjet në PS, zgjidhen kryetari i Lezhës dhe i Vlorës

POLITIKË


Partia Socialiste ka zhvilluar të dielën zgjedhjet brenda partisë në qytetin e Lezhës dhe në qytetin e Vlorës, ku ndryshe nga Durrësi, që u regjistruan polemika dhe pakënaqësi, duket se në këto dy qytete, votimi ka shkuar pa incidente. Në Lezhë, kryetar i degës së PS është rizgjedhur Eduart Ndreca, i cili aktualisht mban funksionin e Prefektit, ndërsa në Vlorës është rizgjedhur Anduel Tahiraj.

Sa i përket Lezhës, anëtarë të kësaj force politike kanë votuar dy kandidatët Taulant Malshi, drejtor i ISSH-së në Lezhë dhe Eduart Ndreca. I deleguari për Qarkun e Lezhës i PS-së, ministri Sandër Lleshaj tha se ky post nuk ofron ndonjë meritë, por një barrë të madhe, pasi stacioni i ri zgjedhur është shumë afër. Në këto zgjedhje morën pjesë 254 socialistë të Lezhës, Ku Taulant Malshi mori 65 vota dhe Eduart Ndreca 173 vota. 6 vota ishin të pavlefshme. Eduart Ndreca doli fitues në këto zgjedhje dhe do të drejtojë PS e Lezhës për 4 vitet e ardhshme.

Ndërsa në Vlorë u rizgjodh Anduel Tahiraj, i cili përballë tij në garë kishte Albana Hodaj. Pas votimit, nga numërimi ka rezultuar se Tahiraj mori 298 vota, ndërsa rivalja e tij 10 vota dhe 15 fletë dolën të pavlefshme, nga 323 anëtarë që morën pjesë.

Pas zgjedhjeve për kryetarin, do të bëhen edhe për të gjitha forumet dhe strukturat e partisë në Vlorë. Në fillim të këtij procesi zgjedhor foli Damian Gjiknuri i cili u shpreh se këto zgjedhje janë transparente dhe brenda procedurave të statutit.

Figura e Tahiraj është e vlerësuar në rrethin e Socialistëve të Vlorës për faktin e afrimit të të rinjve në strukturat e Partisë Socialiste si dhe krijimin e unitetit dhe me brezin e “veteranëve ” të PS. Tahiraj është vlerësuar dhe nga kryeministri Rama për punën e bërë vitet e fundit brenda strukturave të PS. Partia Socialiste vijon zgjedhjet brenda degëve në të gjitha rrethet, teksa në 29 shkurt është Kongresi.



Skip to toolbar