Një lajm i mirë për të gjithë pensionistët kryefamiljarë, të cilët përjashtohen nga taksa e ndërtesës. Në një postim në rrjetet sociale, Ujësjellës-Kanalizime i Tiranës sqaron procedurat që duhet të ndjekin nëse nuk është përjashtuar nga taksa e ndërtesës.
Sipas UKT, referuar ligjit për sistemin e taksave vendore përjashtohen nga taksa mbi ndërtesën kategoritë siç janë pasuritë e paluajtshme-ndërtesa, pronë e subjekteve juridike ose fizike, që në bazë të marrëveshjeve me bashkitë përdoren nga këto të fundit si banesa sociale. Po kështu përjashtohen ndërtesat që përdoren nga komunitetet fetare, në funksion të veprimtarisë së tyre; ndërtesat e banimit, të deklaruara si vendbanim nga kryefamiljarët që përfitojnë vetëm pension pleqërie/pension social, kur familja e tyre përbëhet vetëm nga pensionistë, ose dhe me persona në ngarkim të tyre, që janë të paaftë për punë si dhe ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike.
Për t’u përjashtuar nga taksa, pensionisti duhet të aplikojë pranë njësisë përkatëse administrative, duke paraqitur: Librezë uji ose Faturë uji, ID (Kartë Identiteti) si dhe librezë pensioni.