Prokuroria e Tiranës ngriti tre akuza zyrtare për ish-kryebashkiakun e Vorës, Agim Kajmaku. Realstory.al mësoi nga burime nga Prokuroria e Tiranës se Agim Kajmaku akuzohet për tre vepra penale: “Falsifikim të dokumenteve kryer në bashkëpunim”, “Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij” dhe “Falsifikim formularësh”. Për dy akuzat e para, Agim Kajmaku do të hetohet për shkarkimin nga detyra të dy nënkryetarëve të Bashkisë së Vorës një ditë pasi KQZ i kishte hequr atij mandatin.
Ndërsa akuza e “Falsfikimit të formularëve” është ajo e ngritur nga Prokuroria e Përgjithshme pasi rezultoi se ish-kryebashkiaku i Vorës kishte gënjyer në formularin e vetëdeklarimit para se të zgjidhej në krye të Bashkisë së Vorës, duke mos deklaruar se kishte qenë i arrestuar në Greqi. Ndërkohë, Realstory.al mësoi gjithashtu se këto tre akuza i janë komunikuar zyrtarisht avokatit, pasi Agim Kajmaku vijon të jetë ende person në kërkim nga autoritetet ligjzbatuese shqiptare. Ndërkohë, hetimet vijojnë ende, ndërsa Prokuroria e Tiranës nuk konfirmoi mbylljen e tyre dhe dërgimin e çështjes në gjykatë.
Po çfarë rrezikon Agim Kajmaku, nëse arrestohet dhe dënohet për këto tre vepra penale?
Sipas Nenit 186 të Kodit Penal, falsifikimi i dokumenteve dënohet me burgim deri në tre vjet. “Falsifikimi ose përdorimi i dokumenteve të falsifikuara dënohet me burgim deri në tre vjet. Kur kjo vepër kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë apo ka sjellë pasoja të rënda, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet”, thuhet në Kodin Penal.
Ndërkohë, në Nenin 190, të Kodit Penal, ku përcaktohet vepra penale e falsifikimit të formularëve, thuhet: “Falsifikimi ose përdorimi i vulave, i stampave apo i formularëve të falsifikuar ose paraqitja e rrethanave të rreme në këto të fundit, që u drejtohen organeve shtetërore, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet”, thuhet në Kodin Penal.
Ndërsa, për veprën penale të “Kryerjes së funksionit pas dhënies fund të tij”, dënohet me gjobë deri në një vit burgim. “Vazhdimi i ushtrimit të funksionit shtetëror apo të shërbimit publik nga ana e personit që është vënë në dijeni të vendimit apo rrethanës që u ka dhënë fund ushtrimit të tyre, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit”, thuhet në Nenin 249 të Kodit Penal./Realstory.al./