“BE mundësoi dialogun”, Basha: Rama u detyrua nga ndërkombëtarët për tryezën

POLITIKË


Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se tryeza politike u mundësua nga BE dhe se ndërkombëtarët detyruan Ramën të ulej në bisedime, pasi opozita ka qenë gjithmonë gati. Basha tha se reforma zgjedhore është një nga nëntë kushtet e Bundestagut për daljen e vendit nga kriza dhe shpreson që ky vullnet që ka opozita të reflektohet dhe nga pala tjetër.

“Ndërkombëtarët detyruan shumicën të pranoi ta nxjerrë procesin nga parlamenti ilegjitim i Damianëve. E dyta se përse Rama vendos ta ndjekë këtë proces me dikë që duhet të ishte në burg, është pyetje për Edi Ramën dhe jo për mua” tha Basha. I pyetur nëse opozita është gati që të shkojë në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, kryedemokrati deklaroi prerë se “Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme”.


Këto komente Basha i bëri për media pas takimit që zhvilloi me Komisionerin e ri për Politikën e Fqinjësisë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Oliver Varhelyi, të cilit i paraqiti dy objektivat e opozitës, që janë zgjedhjet e parakohshme me reformën e re zgjedhore dhe mbështetja e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.

“Nga ana jonë prezantuam dhe gjetëm dakordësi se zgjidhja e krizës së rëndë përmes zgjedhjeve të lira të paraprira nga reforma zgjedhore dhe hapja e negociatave janë dy objektiva madhore. Në këtë kuadër mirëprita ndihmën e BE-së që mundësoi dialogun për reformën zgjedhore, si hap i parë për të çuar në rivendosjen e demokracisë, ku qytetarët zgjedhin dhe jo krimi. Pa kthyer legjitimitetin asgjë nuk do të bëjë përpara, as punësim dhe as ndalje të emigracionit. Ne jemi të vendosur t’i japim fund krizës me çfarë do kosto për të mos vonuar zgjedhjet e lira. Nuk ka rrugë tjetër përveç zbatimit të nëntë kushteve, që ka filluar një proces për të parë nëse do të ketë vullnet nga pala tjetër. Pjesa tjetër është përgjegjësi e qeverisë” u shpreh Basha.




Skip to toolbar