Futbollisti i përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani do të bashkohet me Napolin në ditët në vijim. Qendërmbrojtësi shtatlartë, sipas mediave në Itali, të premten do të kryejë vizitat mjekësore në Romë dhe më pas do të nënshkruajë një kontratë të re me Napolin. Rrahmani, që aktualisht luan me Hellas Verona, do të transferohet për 14 milion euro.
Kontrata e tij e re do të jetë për pesë vite me Napolin, ndërsa ai do të përfitojë rreth 1.8 milion euro. Rrahmani do të bëhet shok skuadre me Elseid Hysajn, mbrojtësin e kombëtares së Shqipërisë që luan prej disa sezonesh te Napoli. Amir Rrahmani kaloi një vit më parë nga Dinamo e Zagrebit te skuadra e Hellas Verona.
Qendërmbrojtësi ka luajtur 18 ndeshje këtë sezon me Veronan duke u aktivizuar në çdo takim si titullar. Më herët, Rrahmani ka luajtur edhe për skuadrën e Partizanit në Shqipëri, përpara se të transferohej në Kroaci. Ai ishte pjesë e Kombëtares së Shqipërisë me ekipet zinxhir. Mirëpo në vitin 2016, ish-trajneri i Kombëtares Gianni de Biasi nuk e grumbulloi për në Francë. Për këtë arsye, Rrahmani dhe Milot Rashica vendosën të luajnë për Kosovën.