“Lamtumirë Xhodë”! Arti e politika në lot për Xhevdet Ferrin

AKTUALITET


Ndarja nga jeta në mënyrë të parakohshme të aktorit të dashur shqiptar Xhevdet Ferri ka lënë në zi jo vetëm miqtë dhe familjarë të tij, por dhe artistët dhe politikën shqiptare, të cilët vlerësuan kontributin e tij të spikatur në kinematografi.

Me një postim të rrjetet sociale kryeministri Rama tha se lajmi i hidhur i ndarjes nga jeta e Xhodës e ka lënë pa fjalë. “Lamtumirë Xhodë! S’kam fjalë” shkruan Rama në postimin që e shoqëron me një foto të Ferrit në një nga filmat e njohur ku ka luajtur, “Përrallë nga e kaluara”.


Edhe presidenti Meta shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta në moshën 59-vjeçare të Xhevdet Ferrit duke thënë se ai do të mbetet i paharruar për të gjithë.

Me hidhërim të thellë mësova lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të aktorit të mirënjohur dhe një prej personaliteteve më të shquar të kinematografisë dhe filmave shqiptarë më të dashur për ne, Xhevdet Ferri. Si për të gjithë artdashësit dhe simpatizantët e tij të shumtë, kjo humbje e parakohshme dhe e pazëvendësueshme më ka prekur thellë. Mjeshtri i Madh i filmit, por edhe i teatrit, Xhevdet Ferri do të mbahet mend përherë për rolet dhe personazhet karakteristike, të luajtura me aq talent dhe mjeshtëri të rrallë, për të cilat meritoi të gjithë respektin, vlerësimet dhe simpatinë, nga shumë breza, duke na lënë pas një trashëgimi të vyer në kinematografi.

Duke ndarë dhimbjen e thellë për humbjen e këtij artisti të madh, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe gjithë bashkëpunëtorëve. Kujtimi i Tij do të mbetet i paharruar!” shkruan Meta.

Zëvendëskryeministri Erion Braçe u shpreh se veprat e Xhevdet Ferrit do e mbajnë atë gjithmonë gjallë mes nesh duke listuar rolet e shumta të luajtura prej tij.  “Mos qani për të, duartrokiteni fort për veprat e tij!”

Kryetari i PD, Lulzim Basha shpreh mesazh ngushëllimi për ndarjen e parakohshme nga jeta të Xhevdet Ferrit duke vlerësuar kontributin e tij në artin shqiptar dhe Partinë Demokratike ku ka qenë si deputet gjatë një legjislature.

“Mësova me dhimbje të thellë ndarjen e parakohshme nga jeta të Xhevdet Ferrit, njërit nga ikonat e kinematografisë shqiptare të viteve ’80 dhe një luftëtari të palodhur për mbijetesën e filmit shqiptar, gjatë viteve të tranzicionit. 40 vjet në skenë e shndërruan Xhevdet Ferrin në një simbol të artit shqiptar, në një kontributor të palodhur të artit të mirë që bënte bashkë Durrësin e Tiranën, provincën e metropolin, në një kontributor të atij arti që aq shumë u duhet shqiptarëve në rrugën e vështirë drejt lartësimit të dinjitetit njerëzor. “

Partia Demokratike ka qenë e nderuar që ka pasur në radhët e saj si deputet për një legjislaturë të Kuvendit të Shqipërisë, artistin Xhevdet Ferri.  Humbja e tij, për çdo anëtar të PD dhe për çdo dashamirës të artit shqiptar, është e pazëvendësueshme” shkruhet në reagimin e Bashës.

Kolegët dhe miqtë e tij artistë kanë shprehur gjithashtu ngushëllimet duket filluar nga Rajmonda Bulku, Viktor Zhusti, regjisori Saimir Kumbaro, Zamira Kita, Ndriçim Xhepa etj.   

Xhevdet Ferri u nda nga jeta më 16 janar në moshën 59-vjeçare pas një beteje me një sëmundje të pashërueshme.




Skip to toolbar