Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje i dërgoi një letër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Letra e Albin Kurtit nis duke shprehur keqardhjen për ndërprerjen e takimeve për diskutimin e koalicionit qeverisës. “Është për të ardhur keq që keni vendosur t`i ndërprisni takimet tona për koalicionin qeverisës duke më detyruar të shkruaj letra, thua se jemi kundërshtarë politikë apo jetojmë në kontinente të ndryshme. Unë besoj që ju ose përfaqësuesit tuaj, duhet të ktheheni në tryezën e bisedimeve për t`u marrë vesh bashkë për qeverinë e re”, shkruhet që në hyrje të letrës, që Albin Kurti i drejton Isa Mustafës.
Ndërsa, më tej, kreu i Vetëvendosjes i kërkon kreut të LDK-së të heq dorë nga kërkesa për largimin e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, që u votua unanimisht në seancën e konstituimit. “Mbi të gjitha, është për të ardhur keq që ju vazhdoni të insistoni që ne të bëjmë marrëveshje për ta larguar Kryetarin e zgjedhur të Kuvendit të Republikës, z. Glauk Konufca. Për mua kjo qasje është jodemokratike”, shprehet Kurti.
Duke përmendur zhvillimet e datës 26 dhjetor, ditë kur u bë konstituimi i Kuvendit të ri të Kosovës, nga ku LDK votoi unanimisht zgjedhjen e Konjufcës si Kryetar, Albin Kurti i kërkon Isa Mustafës të heq dorë nga kërkesa për të ndryshuar kryeparlamentarin. “Kosva e pavarur është Republikë demokratike në Evropën e shekullit 21, dhe jo monarki absolute nga Evropa e shekujve të kaluar. Institucionet e Kosovës nuk janë mjete partiake a personale por vlera shtetarore e demokratike. Ju lutem hiqni dorë nga kjo mënyrë jodemokratike e veprimit politik. Ne të dy nuk jemi diktatorë, nuk bën të sillemi a veprojmë si të tillë”, thotë Albin Kurti.
Gjithashtu, Albin Kurti i kujton Isa Mustafës ofertat që Vetëvendosja i bëri LDK që kryetarin e Kuvendit ta merrte ajo, përpara se të shkohej në konstituimin e Kuvendit, ndërsa i përmend ofertën që i ka bërë LDK-së për qeverinë e re. “Bujarisht ju kemi ofruar më shumë se gjysmën e qeverisë (në raportin 6:5 të ministrive) juve si parti që keni dalë e dyta në zgjedhje. E kemi pranuar edhe çështjen e zgjedhjes së Presidentit e cila nuk është fare urgjente dhe për të cilën nuk kemi garuar. U treguam shumë të gatshëm të rrisim pjesëmarrjen e LDK-së në qeverisje, në pushtet. Mirëpo nuk mundemi tash t`i delegjitimojmë institucionet demokratike me ujdi monarkës. Zgjedhja e z. Konjufca ishte legale dhe legjitime”, thotë ndër të tjera Albin Kurti. /Realstory.al/