Menjëherë pas publikimit të raportit për perceptimin e korrupsionit nga Transparency International, ku Shqipëria rezulton se ka zbritur nga vendi 99 në vendin 106, pavarësisht se me të njëjtin nivel të pikëve të mbledhura në dy vite, konkretisht 36 pikë, Partia Demokratike ka reaguar, duke deklaruar se kjo renditje dëshmon realitetin e Shqipërisë përballë korrupsionit.
“Nën këto standarde ne sot gjendemi të renditur më keq dhe kjo renditje dëshmon realitetin e Shqipërisë përballë korrupsionit”, ky ka qenë reagimi i ish-deputetes së Partisë Demokratike Jorida Tabaku, pas publikimit të raportit botëror mbi korrupsionin nga Transparency International. Më pas ish-deputetja e Partisë Demokratike shkruan se e vetmja rrugë për të shpëtuar nga sistemi korruptive është beteja për tregun e lirë, konkurrencën e ndershme në këtë treg, heqjen e çdo kontrolli që sjell barrë mbi biznesin, ndërtimin e institucioneve përgjegjëse si dhe një qeveri që nuk e komandojnë zyrat juridike të oligarkëve por që i harton ligjet në shërbim të qytetarëve.
Për këtë arsye, Realstory verifikoi sesi ka qenë niveli i perceptimit të korrupsionit para vitit 2013 në Shqipëri, kur qeveria drejtohej nga Partia Demokratike, sot në opozitë jashtëparlamentare. Nga një verifikim i shkurtër rezulton se në vitin 2013, Shqipëria renditej në vendin 116, pra 10 vende më poshtë dhe kishte vetëm 31 pikë, ose 5 pikë më pak se në vitin 2019. Ndërsa në vitin 2012 ka qenë 3 vende më lart, konkretisht në vendin 113 me 33 pikë. Pra në vitin e fundit të pushtetit ka shënuar rënie me dy pikë dhe tre vende. Realstory.al