Kreu i Partisë Demokratike, Lulzi Basha ka përshëndetur vendimin e Këshillit Evropian për të dërguar paketën antishpifje në Komisionin e Venecias, duke kërkuar opinionin e saj pas debateve të shumta mes palëve politike.
Sipas Bashës, akti i ndërmarrë nga KiE provon se dy projektligjet e kësaj pakete cenojnë drejtpërdrejtë të drejtën e fjalës dhe drejtën e informimit duke dëmtuar rëndë lirinë e mediave në Shqipëri. Ndërkohë Basha është ndalur edhe tek rrëzimi i dekretit të presidentit Meta ditën e djeshme në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, duke e konsideruar këtë si një veprim të turpshëm. Ndërsa komisionin e konsideron si një kukull të kryeministrit Rama.
“Përshëndes vendimin e marrë nga Komiteti i Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për ta çuar paketën e ashtuquajtur “anti-shpifje” në Komisionin e Venecias. Ky akt provon se dy projektligjet e kësaj pakete cenojnë drejtpërdrejtë të drejtën e fjalës dhe drejtën e informimit duke dëmtuar rëndë lirinë e mediave në Shqipëri. Nga ana tjetër është e turpshme dhe e ulët që Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese i parlamentit kukull nën urdhrat e Ramës, ka rrëzuar dekretin e Presidentit pa reflektuar jo vetëm mbi vërejtjet e tij, por edhe ato të komunitetit shqiptar të mediave dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare. Pushteti aktual qëndroi i shurdhër edhe ndaj qëndrimeve të Komisionit Europian që tregonin se mosreflektimi për këtë paketë dëmton procesin e integrimit europian. Kjo indiferencë e kokëfortësi demonstron se Ramës nuk i intereson integrimi europian i vendit por vetëm mbijetesa e tij politike me çdo kusht, përfshirë këtu përpjekjen për t’ua mbyllur gojën mediave. MOS na PREK fjalën”, shkruan Basha në një reagim në rrjetet sociale.
Dy projektligjet e paketës antishpifje janë dërguar për shqyrtim nga në Komisionin e Venecias nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, konkretisht nga Komiteti i Monitorimit, i cili është përgjegjës për monitorimin dhe zbatimin e Kartës Evropiane, dhe demokracisë në shtetet anëtarë.