Yuri Kim lexon detyrat e shtëpisë

AKTUALITET


E ka nisur me detyra konkrete punën e saj si ambasadore e SHBA-së në Tiranë. Kryefjalë për SHBA vijon të mbetet reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe ndërtimi i një sistemi ku të gjithë të zbatojnë të njejtat rregulla. Yuri Kim ka folur një fjali në shqip në prezantimin e saj të parë për shqiptarët, teksa ka marrë zyrtarisht detyrën e ambasadores së SHBA-së në Tiranë ku theksoi se mezi pret të punojë me liderët politikë në Shqipëri, të cilët po marrin hapa të vështirë në drejtim të realizimit të reformave që janë të nevojshme për vendin.

“Pres me kënaqësi të punoj me udhëheqësit e Shqipërisë ndërsa ata marrin hapa të vështirë por absolutisht të nevojshme për të realizuar reformën në drejtësi, për ndjekur penalisht krimin e organizuar dhe për të larguar korrupsionin nga sistemi shqiptar. Jam besimplotë se teksa drejtësia do të hedhë rrënjë në Shqipëri, më shumë investitorë do të vijnë drejt Shqipërisë në mënyrë që të krijojnë  më shumë vende pune”, tha ambasadorja e SHBA në Tiranë.

Kim tha se SHBA kanë qenë historikisht aleatë të Shqipërisë dhe kanë ngritur zërin që në vitin 1929 në Konferencën e Paqes në Paris ku kanë mbështetur pavarësinë e shtetit shqiptare dhe vijojnë të mbështesin asipiratën e vendit tonë për t’i integruar në BE. Ajo tha se ndihet e nderuar që përfaqëson SHBA në Shqipëri dhe mezi pret të punojë për të ardhmen e Shqipërisë.

“Bie pak shi sot por pjesa ime është plot me diell. Sot paraqita letrat kredenciale presidentit Ilir Meta dhe patëm një bisedë në lidhje me miqësinë e gjatë mes SHBA dhe Shqipërisë dhe theksuam përkushtimin për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Jam e nderuar që presidenti Trump dhe sekretari i Shtetit Pompeo me kanë besuar që të përfaqësoj SHBA në Shqipëri. Si përfaqësuese e SHBA pres me kënaqësi t’ju njoh ju, vendin tuaj, kulturën tuaj, historinë tuaj. Ne jemi miq, ne jemi aleatë dhe jemi partnerë. Siç thashë gjatë seancës dëgjimore në senat, pak miq e kanë përqafuar SHBA me miqësi, pak aleatë kanë qenë më besnikë dhe pak partnerë kanë shprehur gatishmërinë për të bërë më shumë me SHBA, sesa Shqipëria. Jam shumë e nderuar që qëndroj këtu përpara ndërtesës së SHBA ku themelet e saj u vendosën në vitin 1929. Kjo ndërtesë e bukur qëndron si një testament për forcën e qëndrueshme të marrëdhënieve amerikano shqiptare. Marrëdhënia jonë nuk u ndërtua në një ditë, por rrënjët e saj janë të thella. 100 vjet më parë presidenti Wilson ngriti zërin për Shqipërinë kur askush s’e bëri, kur nuk lejoi Fuqitë e Mëdha të ndanin Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris. Presidenti amerikan e përdori fuqinë e SHBA për të mbështetur një Shqipëri të pavarur. Kundër çdo qasje ai priti një përfaqësues shqiptar në Washington dhe hapi rrugën që Shqipëria të anëtarësohej në Ligën e Kombeve. Sikurse e dimë të gjithë pas Luftës së Dytë botërore të dy qeveritë tona morën rrugë të ndryshme. Por megjithëse qeveritë nuk e njihnin njëra-tjetrën, popujt tanë vazhduan ta mbanin pranë njëri-tjetrin. Ne qëndruam të lidhur dhe flisnim përmes Zërit të Amerikës, i cili jo vetëm transmetonte lajme, por edhe shkëndija shprese. Shkëndija e shpresës ndezi shpejt të gjithë Shqipërinë dhe ne qëndruam me ju në vitin 1991 kur u çliruat nga vargonjtë e diktaturës. Është një moment që duhet të ndiheni krenar”, tha ambasadorja Kim.

Ajo theksoi se SHBA kanë qëndruar përherë në krah të Shqipërisë përgjatë historisë dhe të njejtën gjë do vijojnë ta bëjnë edhe në të ardhmen. Kim theksoi se SHBA-të do të ndihmojnë Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. “Ne kemi qëndruar me ju që atëherë, duke mbështetur anëtarësimin tuaj në NATO në vitin 2009 dhe tani përpjekjen tuaj për t’u anëtarësuar në BE. Sot ne qëndrojmë me ju, jo vetëm në mbështetje të sovranitetit të Shqipërisë por edhe në mbështetje të së ardhmes së Shqipërisë. Ne e dimë që ka punë përpara, por ne e dimë që puna e vështirë bëhet e lehtë kur ke miq dhe aleatë pranë teje. SHBA është e vendosur të mbështesë Shqipërinë që të bëhet një aleate edhe më e fortë edhe më e aftë. SHBA është e përkushtuar të ndihmojë Shqipërinë të forcojë kandidaturën e saj për në BE. Ne do vazhdojmë të mbështesim aspiratën e palëkundur të popullit shqiptar për liri, drejtësi dhe për një sistem, ku secili duhet të respektojë të  njëjtat rregulla.

Le të mos ketë dyshime se SHBA e vlerësojnë Shqipërinë si aleate, partnere dhe mike të vërtetë. Siç ju mbështetëm në 1920, 1991, 1999 dhe 2009, ne qëndrojmë sërish me ju për të mbështetur të ardhmen tuaj në familjen europiane.

Ndërsa ju përshëndes në këtë ditë të mrekullueshme pavarësisht shiut dua t’ju them: ne jemi me ju krah për krah”, theksoi ambasadorja Yuri Kim.



Skip to toolbar