Masakra e Urës Vajgurore, nga Kanadaja autori kërkon rihapjen e proçesit

AKTUALITET


Edhe pse në arrati prej mëse 22 vitesh, organizatori i masakrës në Urën Vajgurore, ka mundur të verë sërish në lëvizje procesin. Musa Protoduari, i dënuar me burgim të përjetshëm si organizator i një prej masakrave më të rënda që ka njohur vendi, i është drejtuar gjykatës së Tiranës me një kërkesë për rishikimin e vendimit.

Sipas gazetares Klodiana Lala të “News24” i dënuari me burg përjetë, Musa Protoduari është paraqitur pranë autoriteteve kanadeze, ku ka pajisur me një prokurë të posaçme një avokat dhe përmes tij ka kërkuar pranë drejtësisë shqiptare, rishikimin e vendimit me argumentin se është dënuar në mungesë dhe pa praninë e një avokati mbrojtës. Por edhe në këtë përpjekje të tij nuk ka marrë një përgjigje.

Çfarë ndodhi në Urën Vajgurore në 17 qershor 1997:

Masakra e Urës Vajgurore ka ndodhur më datë 17 qershor 1997, në kulmin e trazirave. Nga kjo ngjarje mbetën të vrarë 5 persona dhe u plagosën 6 të tjerë, të gjithë punonjës policie.

Përplasja e armatosur ka filluar në orën 11:55 të paradites, pas shumë mitingjeve elektorale të partive politike. Atë ditë, në këtë qytezë ishin Fatos Nano, asokohe kryetar i PS , i shoqëruar nga Skënder Gjinushi, ndërsa në komunën Poshnje përfaqësonin PD-në në miting i ndjeri Azem Hajdari dhe Genc Pollo. Pas mbarimit të dy mitingjeve, eskorta e PD-së është larguar dhe pas saj ka ardhur ajo Fatos Nanos dhe Skënder Gjinushit dhe anëtarë e simpatizantë të tjerë të kësaj partie. Atë kohë, qytetin e kontrollonin bandat, që pas hapjes së depove të ushtrisë. Krerët e PS-së pas mitingut në Berat ishin larguar nga qyteti për të vijuar rrugën drejt Fierit.

Eskorta që shoqëroi drejtuesit e PS-së, mbërriti në Urën Vajgurore, kur një i ri qëlloi drejt rojeve të vilës së Protoduarëve, që thuhej se ishin mbështetës të Partisë Demokratike. Të vendosur mbi tarracën e vilës, rojet e Protoduarëve vranë një 17-vjeçar. Pjesa e eskortës, që mundi të kalojë vilën shkoi në Berat dhe mori përforcime të mëdha armësh municioni dhe njerëzish.



Skip to toolbar