Dy delegacione nga Komisioni i Venecias zbarkojnë brenda katër ditësh në Tiranë për të filluar takimet lidhur me Anti- Shpifjen dhe emërimet në Gjykatën Kushtetuese.
Duket se ‘Venecia’ do i kushtojë më shumë rëndësi të parës, pasi sot dhe nesër do të diskutohet drafi i amendamenteve në ligjin 97/2013 për Mediat Audiovizive.
Janë tre institucione në fakt që kanë çuar në Venecia këtë çështje. E para ishte mazhoranca e cila u tërhoq ditën e votimit në Kuvend duke ia çuar për opinion Komisionit. Më pas ishte Këshilli i Europës kurse OSBE çoi qëndrimet e saj lidhur me këtë paketë. Ndërkohë Zëvendëskryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, priti sot në takim një delegacion nga Komisioni i Venecias, i përberë nga znj. Herdis Kjerulf Thorgeirsdottir, anëtare e Komisionit të Venecias për Islandën, z. Michael Frendo, anëtar i Komisionit të Venecias për Maltën, si dhe ekspertë të Komisionit. Delegacioni ndodhet në Shqipëri për të përgatitur një opinion për ligjin për mediat elektronike dhe shërbimet e medias në Republikën e Shqipërisë. Gjatë takimit, anëtarët e delegacionit shprehen interes për të njohur qëllimet e ligjit, nevojat për miratimin e tij si dhe u diskutua mbi problematikat e hasura në praktikë.
Por një delegacion i dytë vjen në datën 13- 14 shkurt për të filluar takimet lidhur me atë që u quajt ‘Ngërçi’ në Gjykatën Kushtetuese. Të dyja opinionet për këto dy ështje Komisioni i Venecia do i diskutojë në seancën plenare të 20- 21 marsit.
Një përplasje mes mazhorancës dhe Presidencës ndodhi nëntorin e kaluar teksa Presidenti Meta nuk dekretoi Arta Vorpsin e cila u konsiderua nga mazhoranca si anëtare për Gjykatën Kushtetuese automatikisht por zgjodhi Marsida Xhaferllarin.
Të dyja institucionet, Presidenca dhe Kuvendi e kanë çuar çështjen në Venecia lidhur me procesin e emërimeve në këtë Gjykatë. Meta pretendon se KED shkeli ligjin duke mosrespektuar radhën e dërgimit të emrave me akuzën se është e kapur nga mazhoranca, kurse kjo e fundit pretendon se Meta ka kryer shkelje.
Komisionin e Ligjeve u miratua mekanizmi zhbllokues për betimin e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese si dhe të Lartë, kur Presidenti nuk i thërret. Parashikohet sipas mekanizmit që nëse Presidenti nuk thërret gjyqtarin përkatës për betim, ai ta bëjë me shkrim dhe ia dërgon Presidentit.