Në një takim në Kryesinë e Kuvendit, Gramoz Ruçi priti Kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin. Ruçi shprehu besimin e plotë se në lidershipin e Albin Kurtit dhe qeverisë së re Kosova do të përballojë me sukses sfidat e vështira. Nga ana tjetër Kuvendi i Shqipërisë sipas Ruçit do të nxisë bashkëpunimin për rolin e Kosovës si një faktor paqe, sigurie e stabiliteti në rajon.
“Nën lidërshipin tuaj, Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i përballojë me sukses sfidat e vështira të zhvillimit, integrimit dhe fuqizimit të rolit e kontributit të Kosovës si një faktor paqeje, sigurie e stabiliteti në rajon. Sakrificat tuaja si politikan konseguent janë një garanci për realizimin e këtij misioni dhe vënien në jetë të programit ambicioz qeverisës. Kuvendi i Shqipërisë do të jetë si gjithmonë në mbështetje të bashkëpëunimit midis të dy vendeve dhe do të nxisë edhe më tej bashkëpunimin ndërqeveritar.” – u shpreh Ruçi.
Kryeministri Albin Kurti falënderoi Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi për mbështetjen e vazhdueshme të Kuvendit dhe të tijën personale ndaj bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë dhe vuri në dukje se ky bashkëpunim do të forcohet edhe më tej. “Ne do të bashkëpunojmë me Qeverinë e Shqipërisë për lehtësimin e procedurave për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara midis të dy vendeve, nënshkrimin e marrëveshjeve të reja si edhe lehtësimin e qarkullimit të mallrave e shërbimeve midis Shqipërisë dhe Kosovës,” – u shpreh Kurti.