Kurti takon Metën e Bashën

AKTUALITET


Gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u takua dhe me Presidentin Ilir Meta dhe kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Gjatë takimit me Presidentin Meta, është diskutuar rreth intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, proceseve integruese të të dy vendeve në BE, si dhe zhvillimeve në rajon.  Presidenti Meta tha se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.   “Janë të mirëpritura dhe përpjekjet e SHBA-ve dhe BE-së, për rifillimin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Është e rëndësishme që të gjitha forcat politike të Kosovës të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces”. – u shpreh Meta gjatë takimit me Kurtin.


Ndërkaq, në përfundim të takimit me Kryetarin e Partisë Demokratike si Basha ashtu dhe Kurti në një pronncim përpara mediave nënvizuan domosdoshmërinë që poliitka të jetë në shërbim të qytetarëve.

“Pozitë opozitë në të dy anët e kufirit, Kuvend dhe qeveri do të bashkëpunojmë në mënyrë që Kosova dhe Shqipëria të jenë në nivel të detyrës, jo vetëm zyrtare por edhe historike për qytetarët tanë, të cilët siç e dinë janë edhe varfërinë më të madhe, edhe me papunësinë më të madhe jo vetëm në rajonin tonë. Pra, është obligim i yni si politikanë kudo që jemi, tërë kohën të jemi në shërbim të qytetarëve edhe të Kosovës, edhe të Shqipërisë, për të ngritur dinjitetin dhe mirëqenien e tyre.” – u shpreh Kryeministri i Kosvës Albin Kurti.

Ndërkaq, Basha e ka siguruar Kryeministrin Kurti se për Partinë Demokratike dhe për opozitën e bashkuar prioritetet e bashkëpunimit me Kosovës janë të qarta. “Ne do të bëjmë gjithçka për të ndihmuar në tregtinë e lirë, në integrimin ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës, për t’i dhënë shanse për punësim qytetarëve tanë e, në veçanti rinisë, për të ndalur shpopullimin që është produkt i drejtpërdrejtë i korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga krimi i organizua, sikundër edhe për angazhimin tonë, sot dhe nesër, për të vazhduar fuqimisht mbështetjen nga Republika e Shqipërisë për Republikën e Kosovës, për njohjet ndërkombëtare dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë, sikundër edhe për heqjen e vizave edhe për qytetarët e Kosovës. Kryeministri Kurti, qeveria e Kosovës, institucionet e Kosovës dhe qytetarët e Republikës së Kosovës mund të mbështeten, siç janë mbështetur deri më sot, plotësisht tek Partia Demokratike, tek opozita e bashkuar për t’i dhënë çdo ndihmë dhe për të marrë çdo vendim që do të mbështesë objektivat e tyre, sot në opozitë dhe nesër, kur qytetarët e Republikës së Shqipërisë të na besojnë qeverisjen e vendit me votën e lirë dhe të ndershme.” – tha Basha.




Skip to toolbar