Sot Tirana mbushi 100 vjet Kryeqytet i Shqipërisë, nderohen familjet tiranase

AKTUALITET


Sot Tirana mbushi një shekull Kryeqytet i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Me këtë rast, Bashkia e Tiranës nderoi me medalje mirënjohjeje disa nga familjet më të nderuara të qytetit, të cilat kanë kontribuar ndër vite. Në ceremoninë kushtuar kësaj ngjarje të rëndësishme për kombin shqiptar, morën pjesë deputetë, anëtarë të qeverisë, kryetarë bashkish nga vendi dhe trevat shqiptare, personalitete të klerit dhe të kulturës shqiptare, si dhe pasardhës të familjeve të vjetra tiranase. 

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se 100 vjetori e gjen Tiranën me aspiratën për t’u bërë një qytet modern dhe evropian. “Ndihem i përkëdhelur nga fati që më takoi mua të jem kryetari i Bashkisë kur mbushen fiks 100 vite nga momenti kur qeveria e Sulejman Delvinës hyri në Tiranën që u shpall Kryeqytet në atë kohë. Jam i lumtur që jemi të gjithë bashkë në këtë ditëlindje të parë, të shekullit të parë të Tiranës kryeqytet. Tirana nuk është perfekte, por megjithatë ka aspiratën të bëhet një qytet modern dhe europian. Kemi shumë punë përpara. Ta gëzojmë 100-vjetorin e Tiranës dhe le të endim në jetët e të tjerëve një monument që vlen më shumë se çdo monument guri dhe që është dashuria dhe respekti që kemi për njëri-tjetrin”, theksoi ai.

Veliaj nënvizoi se klasa politike ka për detyrë të plotësojë kohën e humbur në 100 vitet që lamë pas. “Historia e Tiranës nuk ka qenë gjithmonë pozitive në aspektin politik, ka pasur ulje, ngritje, që sot na bëjnë të reflektojmë si i kemi shpenzuar 100 vitet e para. Si klasë politike e kemi për detyrë të plotësojmë kohën e humbur për Tiranën. Gjithsesi, edhe modelet pozitive janë të shumta, janë ngjarje që na bëjnë krenarë e na frymëzojnë. Ju kujtoj duke filluar nga vitet e para ku Mbreti Zog solli modernizimin e Tiranës, me ideimin, projektimin, ndërtimin e kompleksit të ministrive dhe bulevardit në vitet ’20-’30; Epopeja e luftës për çlirimin e Tiranës, etj”, shtoi ai.

Kryebashkiaku nënvizoi se Tirana sot është jo vetëm epiqendra politike, kulturore, sociale, por edhe fuqia ekonomike. Ai theksoi se ky 100 vjetor është edhe një moment për të parë atë që është bërë në këtë një shekull dhe për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen. Sipas tij, kemi nevojë për më shumë bashkëpunim. “Teksa futemi në një shekull të ri të Tiranës, ka ardhur koha që të shohim përpara dhe të marrim disa vendime. Në dallim me shekullin që kaloi, do duhemi më shumë apo do urrehemi më shumë? Do punojmë më shumë apo do pengojmë më shumë? Do respektojmë më shumë apo do fyejmë më shumë? Ju pyes edhe pse pyetjet janë retorike, por janë pyetje që secili do të duhet t’i përgjigjet: E kemi vetë në dorë ecjen përpara apo pengimin e këtij qyteti, mallkimin apo bekimin e këtij qyteti. Unë besoj se do të marrim vendime të drejta, që Tiranën ta çojmë përpara”,  tha Veliaj. 

Ai deklaroi se në respekt të historisë, godina ku u mblodh Këshilli Kombëtar që ishte njëkohësisht edhe parlamenti i parë shqiptar që sot shërben si Teatri i Kukullave do të kthehet në një shtëpi muze. “Në 27 Mars 1920, pra pak më shumë se një muaj nga shpallja kryeqytet, u mblodh Këshilli Kombëtar, që është njëkohësisht edhe Parlamenti i parë shqiptar, në godinën ngjitur, që sot shërben si Teatri i Kukullave. Shumë shpejt do ta rikthejmë në një shtëpi muze për Parlamentin shqiptar, për ta transferuar Teatrin e Kukullave në një ndërtesë tjetër moderne, e për t’u siguruar që në shekullin e dytë kthejmë kokën pas për të kujtuar atë pikë reference të Parlamentit shqiptar”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se një nga vendimet e para të qeverisë së atëhershme ishte themelimi i Bibliotekës Kombëtare. Ai dha lajmin e mirë se shumë shpejt do të nisë puna edhe për themelet e godinës së re të Bibliotekës Kombëtare, që do i shërbejë studiuesve, por edhe të pasionuarve pas librit e dijes. “Një shtëpi mund të prishet, makina mund të përplaset, një celular mund të humbasë, por e vetmja gjë që nuk ikën është dija. Etërit e kombit tonë dinin diçka, duke qenë se institucioni i parë që themeluan pas Parlamentit, ishte institucioni i Librit. Nuk ka gjë që jehon më shumë nga shtetformimi i ditëve të para, se akti i parë i Parlamentit ishte themelimi i Bibliotekës Kombëtare, si një nga institucionet kryesore në vend. Lajmi i mirë për ata që ende e kanë librin një udhërrëfyes në jetën e tyre, është se qeveria shqiptare dhe kryeministri sapo ka konfirmuar ngritjen e Bibliotekës së re Kombëtare si një shenjë mirënjohjeje për të filluar shekullin e dytë, ashtu siç e filluan të parët tanë shekullin e parë me librin dhe Bibliotekën Kombëtare”, deklaroi Veliaj.

Prefektja e Qarkut të Tiranës, Suzana Jahollari nënvizoi se ndihet e privilegjuar kur Tirana si kryeqytet prek shekullin e parë, është shpallur Kryeqytet i Rinisë për Evropën 2022 dhe kur po ndryshon shumë. Kreu i Këshillit të Qarkut të Tiranës, Aldrin Dalipi tha se Tirana është sot një kryeqendër europiane përsa i përket transformimit dhe modelit të ndryshimit të shpejtë. Për gjatë gjithë ditës, Bashkia e Tiranës ka organizuar një sërë aktivitetesh, të cilat do të kulmojnë me koncertin festiv në sheshin “Nënë Tereza”, ku do të këndojnë yjet e muzikës popullore të Shqipërisë së Mesme



Skip to toolbar