Avokati i Shullazit: Është show. Pasuria e klientit tim, ka kaluar në sitën e “Anti-Mafias”

AKTUALITET


Avokati i Emiljano Shullazit, Vladimir Meçe, ka reaguar pas kërkesës që Operacioni “Forca e Ligjit” i bëri klientit të tij për të bërë deklarimin e pasurisë brenda 48 orëve.

Avokati Meçe e cilëson një “show” aksionin e OFL, duke u shprehur se klienti i tij e ka kaluar pasurinë në sitën e ligjit “Anti-Mafia” dhe nuk ka rezultuar me pasuri të paligjshme.

Ndër të tjera, avokati është shprehur se Shullazi nuk zotëron pasuri të paligjshme, madje sipas tij, nuk zotëron pasuri veç banesës së tij dhe një sipërfaqeje në një objekt.

“U njoha me lajmin që OFL i ka derguar klientit tim kërkesë për të paraqitur deklaratë mbi pasuritë. Sipas meje është një “show”, sikundër ka rezultuar edhe në ndonjë rast të mëparëshëm. Në dijeninë time, pasuria e klientit tim e ka kaluar sitën e ligjit Antimafia dhe ai nuk ka rezultuar me pasuri të paligjshme, produkt i ndonjë vepre penale apo të pajustifikuar nga burime të ligjshme.

Pavarësisht zhurmës mediatike që po e shoqëron procesin kundër tij pothuaj prej 4 vjetësh, proces ky i montuar, ku janë shkelur të gjitha parimet mbi të cilat ngrihet një proces i rregullt penal, klienti im nuk zotëron pasuri të paligjshme, madje nuk zotëron pasuri veç banesës së tij dhe një siperfaqe në nje objekt, që është legjenduar si e marrë me dhunë, por që gjithsësi është objekt i shqyrtimit gjyqësor, i cili ende nuk ka perfunduar.

OFL- ja përpara se të kërkonte prej tij deklarimin e pasurisë, do ishte mirë të kishte kryer qoftë dhe një verifikim dhe të mos ushqente me zhurmë të panevojeshme opinionin publik. Sipas meje, ky është një ndikim i hapur dhe i paligjshëm në procesin që po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar! Megjithatë, klienti im nuk ka asgjë për të fshehur dhe do ti përgjet OFL në kohë dhe në mënyrë të plotë!”  – thuhet në reagimin e avokatit.



Skip to toolbar