SHBA kritika Qeverisë për Duty Free: Prish barazinë e bizneseve

AKTUALITET


Gjykata Administrative vendosi të pranojë padinë e kompanisë “Albanian Duty Free Development” në pronësi të Elona Caushit për shfrytëzimin e dyqaneve Duty Free në Rinas edhe për 5 vitet e ardhshme.

Gjykatësi Avni Sejdi shfuqizoi urdhrin e Ministrisë së Financave, që i anuloi kompanisë në fjalë lejen e shfrytëzimit, në një kohë që fituese e tenderit për hapësirat duty free në aeroportin ndërkombëtar Nënë Tereza, të zhvilluar nga TIA vitin e kaluar është shpallur kompania amerikane International Cruise Duty Free (ICDF).


Menjëherë pas këtij vendimi, ka reaguar ashpër Ambasada e SHBA-së në Tiranë duke i kërkuar qeverisë shqiptare që të garantojë transparencë dhe barazi për të gjithë bizneset.

“Në situatën ku ndodhemi sot, rrethanat në lidhje me hapësirën Pa Taksë (Duty Free) në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës tregojnë sfidat me të cilat përballen investuesit e huaj në Shqipëri. Është zhgënjyese që klima aktuale e biznesit pengon rritjen e investimeve të huaja. Shqipëria duhet të zbatojë rregulla të drejta dhe transparente në mënyrë të barabartë për të gjitha bizneset. Shpresojmë që qeveria e Shqipërisë të shqyrtojë seriozisht sfidat në mjedisin aktual dhe të zbatojë ndryshime të prekshme, për të tërhequr investimet e huaja shumë të nevojshme” thuhet në reagimin ambasada e SHBA-së.

Edhe ministria e Financave ka reaguar kundër vendimit të gjykatës për dyqanet në Rinas. Institucioni, që gjykata sot e rrëzoi, thotë se ky vendim tregoi se forcimi i shtetit të së drejtës mbetet prioritet për qeverinë shqiptare, në përfitim të qytetarëve dhe sipërmarrësve shqiptarë dhe të huaj. Në fund, Financat e mbyllin reagimin duke thënë se është e hapur për propozimet e sektorit privat mbi cështjet e të bërit biznes dhe zhvillimin e një kuadri mbështetës për cdo investitor shqiptar dhe të huaj.

“Ministria e Financave dhe Ekonomisë shpreh keqardhjen për vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, ndaj Cështjes Administrative Civile, mbi vendimin administrativ për anullimin e autorizimit për magazinat doganore private Duty Free Shop. Duke u rezervuar në interpretimet në themel të vendimmarrjes në cështjen në fjale, theksojmë rëndësinë e sistemit gjyqësor edhe në klimën e biznesit dhe trajtimin e investitorëve të huaj në vend. Forcimi i Shtetit të së Drejtës mbetet prioritet për Qeverinë Shqiptare, në përfitim të qytetarëve dhe sipërmarrësve shqiptarë dhe të huaj. Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të jetë përherë e hapur të presë propozimet e sektorit privat mbi cështjet e të bërit biznes dhe zhvillimin e një kuadri mbështetës për cdo investitor shqiptar dhe të huaj” deklaron ministria e Financave.




Skip to toolbar