Përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë por edhe mjekë dhe ekspertë të ISHP nuk konfirmojnë nëse një karantinë në vend për të dyshuarit për koronavirus është ngritur në spitalin e Kavajës. Mjeku i njohur infeksionist Tritan Kalo tha në “Real Story” në News24 se janë disa struktura karantine që po bëhen gati në ambiente spitalore dhe jo por shtetërore.
Në përgjigje të pyetjes së gazetarit Erjon Skëndaj se përse nuk bëhen publike, ai tha se nëse do aktivizohen nuk do jenë më sekret.
“Karantina nuk bëhet për personat e sëmurë por ata që kanë pasur kontakte me të sëmurët. Pra për 14 ditë. I sëmuri izolohet.
Masat po merren dhe nuk është një objekt i veçantë, janë disa objekte dhe janë shtetërore. Janë struktura spitalore por dhe jo spitalore por shtetërore në të cilat po punohet për të qenë të gatshme në një moment të caktuar. Po punohet si strukturë, si personel për trajnim dhe pajisje. Janë disa hallka. Këto struktura janë të mirëpërcaktuara dhe po bëhen ato hallka. Nëse do aktivizohen nuk do jenë sekret”, deklaroi Kalo.