Zaloshnja: Vrojtim statistikor, nëse duam të dimë sa kemi realisht me COVID-19!

CORONAVIRUS


Nga Eduard Zaloshnja

Drejtori i Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu, deklaroi në një studio televizive se institucioni që ai drejton ka siguruar një pajisje, e cila lejon testimin e shpejtë në analizat për koronavirusin aktual. Kjo pajisje, tashmë e përdorur edhe në vende të tjera, mundëson realizimin e më shumë se 4 mijë testeve në 24 orë. Allajabeu tha se në ditët në vijim pritet të vijnë edhe reagentët për përdorimin e kësaj pajisjeje.

Kur Spitali Amerikan të fillojë analizat e para për infeksionin me COVID-19, qeveria mund të realizojë një vrojtim statistikor me kampion kombëtar të shtresëzuar prej 1050 të testuarish, për të ditur se sa të infektuar realisht kemi me COVID-19. Këto 1050 teste kryhen nga Spitali Amerikan në më pak se 7 orë. 

Me një kampion të tillë, maksimumi i marzhit të gabimit statistikor do të ishte +/-3%. Kështu, në qoftë se kampioni del 50% i infektuar, me siguri 95%, mund të thuhet se 47% deri 53% e popullsisë është e infektuar. Ndërsa në qoftë se kampioni del 30% i infektuar, mund të thuhet se 27.2% deri 32.8% e popullsisë është e infektuar (Sa më larg 50-përqindëshit të dali rezultati në kampion, aq më i ngushtë është intervali i gabimit statistikor).

Shtresëzimi i kampionit është i nevojshëm në këtë vrojtim statistikor, ngaqë dimë se kemi një mbipërfaqësim të bashkisë së Tiranës në grupin e të konfirmuarve  deri më sot me COVID-19, si dhe kemi një mbipërfaqësim të moshave 45-74 vjeç.

Përzgjedhja e të testuarve për çdo stratë gjeografike e demografike të kampionit duhet bërë me metodën rastësore. Pra, nuk duhen të përzgjidhen njerëz që dyshohen paraprakisht se mund të jenë të infektuar.

Në qoftë se qeveria mobilizon gjithë personelin mjeksor të vendit në mënyrë kapilare (për të marrë mostrat e pështymës dhe për t’i dërguar ato në Spitalin Amerikan), brenda 24 orësh, mund të ketë një tablo shumë të përafërt të situatës së sëmundjes në rang kombëtar e rajonal. Dhe një operacion i tillë do t’i kushtonte buxhetit vetëm 160 mijë euro…

Para 3 prillit (dita kur është njoftuar rihapja e shkollave), qeveria duhet ta peshojë mirë strategjigjinë e karantinimit. Një vazhdim i tejzgjatur i tij do t’i shkaktonte ekonomisë dhe buxhetit kosto të pallogaritshme ditore. Ndërsa një përfundim i parakohshëm i karantinimimit mund të shkaktojë më pas një numër të pafalshëm vdekjesh.

Meqënëse vendimi për karantinimin ka një peshë kaq të madhe ekonomike nga njëra anë, dhe morale nga ana tjetër, është e detyrueshme për qeverinë që të marrë një vendim sa më të mirëinformuar, e jo të bazuar në hamendje statistikore. Dhe informacionin më të përafërt të gjendjes reale të infeksionit me COVID-19 mund të na e japë një vrojtim statistikor, që kushton vetëm 160 mijë euro.  Sa ç’kushton një nga veturat luksoze që përdoren për drejtuesit e lartë të shtetit…   



Skip to toolbar