Zaloshnja: Përmirësimet më të rëndësishme në administrimin e zgjedhjeve

OPINION


Nga Eduard Zaloshnja

Marrëveshja e arritur në komisionin politik për ndryshimet në kodin zgjedhor parashikon 32 ndryshime që kanë të bëjnë me zhvillimin dhe administrimin e zgjedhjeve në Shqipëri – ndryshimet e sistemit elektoral janë ende në diskutim. Ndër ndryshimet e parashikuara, tri sjellin përmirësime të ndjeshme në administrimin e zgjedhjeve.

1 – Identifikimi biometrik i votuesve

Identifikimi biometrik i votueve garanton që një votues të mos votojë dy herë. Dhe ç’është më e rëndësishme, nuk lejon votimin familjar – pra që gjyshi të mos votojë për djemtë, nuset, nipërit e mbesat, të cilët mund të jenë emigrantë apo me banim në ndonjë qytet larg fshatit ku e kanë të regjistruar emrin në listën e zgjedhësve.

Votimi familjar, sipas vëzhguesve të OSBE/ODHIR është lejuar në fshatrat e largëta nga komisionerët e të dyja palëve, në çdo palë zgjedhje të zhvilluara në Shqipëri.

Nga një analizë e shifrave të CENSUS-2011 për banorët e fshatrave të vegjël (rreth 800 fshatra), rezulton se mesatarja e banorëve të rritur në to ishte rreth 50. Nga ana tjetër, rezultatet e zgjedhjeve parlamentare pas CENSUS-2011 (të 2013-ës dhe 2017-ës), tregojnë se janë gjetur mesatarisht 150 vota për kuti në këto 800 fshatra.

Shifrat e mësipërme tregojnë se gjasat janë që një pjesë e mirë e votave në fshatrat e largëta të kenë qenë të familjarëve në emigracion ose me banim në qytete larg fshatrave.

Përmirësimi që sjell identifikimi biometrik, në pamje të parë, duket se është neutral (pasi komisionerët e të dyja palëve e kanë lejuar deri më sot votimin familjar). Por në fakt, ai e pengon palën me më shumë mjete e mundësi, që t’i blejë gjyshit fshatar votat fiktive të djemve, nuseve, nipërvet e mbesave, të cilët mund të jenë emigrantë apo me banim në ndonjë qytet larg fshatit ku e kanë të regjistruar emrin në listën e zgjedhësve.

2 – Kamerat e vëzhgimit live në qendrat e votimit

Një nga problemet e vërejtura nga vëzhguesit e OSBE/ODHIR ka qenë vazhdimisht friksimi i votuesve në qendra votimi të largëta, si dhe fotografimi i votës nga votuesit në qendra të ndryshme. Problemi i dytë është më shqetësues, sepse është më i përhapur dhe sepse votuesit e fotografojnë votën për t’ia treguar atij që ia kanë premtuar, përkundrejt një shpërblimi monetar apo të ruajtjes së vendit të punës.

Me vendosjen e kamera live në qendrat e votimit, sipas parimit “frika ruan vreshtin”, shtohet rreziku për ata që mund të duan të bëjnë veprimet e mësipërme.

3 – Hapja automatike e çdo kutie zgjedhore (përkundrejt një pagese të arsyeshme), nga çdo parti që dëshiron të verifikojë materialet zgjedhore apo numrin e votave në kuti

Hapja e kutive u bë problem i pazgjidhshëm pas zgjedhjeve të 2009-ës (i shoqëruar me protesta të përjavshme e me grevë urie të opozitës së atëhershme). Ndërsa pas zgjedhjeve të 2013-ës dhe 2017-ës, pati hapje të pjesme kutish, por procesi ishte i vështirë dhe i stërzgjatur.

Me hapjen automatikeve të kutive, rritet transparenca, e për rrjedhojë, ulet ndjeshëm siguria e komisionerëve se mund të shpëtojnë pa u lagur, në qoftë se manipulojnë kutitë e votimit…



Skip to toolbar