Një ditë më parë kryeministri Edi Rama e konsideroi opozitën e sotme si “më mizerablën që prej vitit 1991”. Ai gjithashtu ka injoruar planin prej 5 pikësh të propozuar nga PD. Megjithatë për kryedemokratin Lulzim Basha, ky është thjesht nervozizëm i kreut të qeverisë.
Kjo pasi, Basha thotë se i kupton frikën sepse e pret humbja në 25 Prill, por për më tepër sipas tij, kryeministri do të përballet me drejtësinë. Basha u shpreh se Rama do që të krijojë një debat të zbrazët, por se ai nuk do të kacafytet me të.
Kryeopozitari i kujtoi zgjedhjet e 2011-s, ku tha se e ka mundur Ramën dhe të njëjtën gjë do të bëjë në zgjedhjet e ardhshme.
“E kuptoj nervozizmin e tij, e kuptoj dhe frikën e tij sepse realisht e pret jo vetëm humbja e thellë, por edhe përballja me drejtësinë. I gjithë fjalori i tij vulgar, sjellja e tij rrugaçërore ka vetëm një qëllim, të më tërheqë në një debat që është i zbrazët nga substanca. Që duket si kacafytje midis meje dhe atij. Nuk jam për t’u kacafytur me të. Kemi pasur një përballje në 2011-ën e kam mundur dhe prapë do ta mund. Sa i përket egos personale, por kjo nuk është për ego personale. Unë jam këtu për të mbrojtur interesin e qytetarëve shqiptarë, jam këtu për të treguar përgjegjësitë që ky njeri ka. Edi Rama nuk ka përgjigje. Ndaj mos u çudisni për gjuhën e ulët, për gjuhën e baltës, për mashtrimet dhe gënjeshtrat që bën ai dhe sejmenët e tij
E bën për të hequr vëmendjen nga dështimi i menaxhimit të pandemisë, vjedhjes së shqiptarëve, për të hequr vëmendjen nga fakti që akoma nuk ka bërë një paketë të tretë sulmet ndaj meje janë gjëja më e pakët që bën. Këtu do jeni dhe do e shikoni. Siç kërceu në studio të enjten e kaluar do të shikoni dhe çudira të tjera. Do të bëjë çdo gjë me shpresën që shqiptarët t’i harrojnë këto të vërteta. Sa herë që sillet si koun, sa herëë që përpiqet të baltosë dhe të nxisë konflikt dijeni që ka futur prapë duart në xhepin tuaj.
Mos prisni që unë të kacafytem me të se nuk është luftë gjelash. Unë besoj tek diçka tjetër. Unë besoj që njerëzit nuk mund t’i bësh budallenj. Unë besoj që nuk mund t’ua shesësh sapunin për djathë gjithë kohën. Mund ta ketë bërë një herë, mund ta ketë bërë 2 herë nuk e bën më. I ka rënë kallaji thotë popullit. E kemi ne faj që themi i çmenduri. Nuk ka lidhje, ai është hajduti, mashtruesi, shkelësi i premtimeve. Çmendurinë e përdor për të vazhduar vjedhjen”, tha Basha.